E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet nisën nga ne

Hasan Preteni ka thënë të enjten se EULEX e ka bastisur Ministrinë për Komunitete dhe Kthim falë punës që ka bërë Agjencia Kundër Korrupsionit. Sipas tij, hetimet kanë filluar nga një kallëzim penal, që burimin e ka në agjenci. Ai, po ashtu, ka thënë se 84 zyrtarë të lartë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë brenda afatit, ndërsa 26 të tjerë nuk e kanë plotësuar formularin sipas ligjit Nga Nebih Maxhuni më 17 qershor 2011 në ora 08:20

Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion është ndier goxha krenar me bastisjet e EULEX-it në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Sipas tij, bastisjet janë kryer falë punës që ka bërë ky Agjencion. “Aktiviteti i djeshëm i Prokurorisë së EULEX-it kishte të bëjë me informacion, me një kallëzim penal që burimin e ka nga agjencia. Domethënë gjithçka çka ndodhi dje është fillimi i hetimit penal që Prokuroria e EULEX-it e bën në bazë të informacioneve që janë trajtuar fillimisht në agjenci dhe agjencia ka vlerësuar që të barten në Prokurorinë e EULEX-it”, ka theksuar Preteni.

Edhe pse ka pranuar se ka një bashkëpunim të mirë, Preteni ka thënë se ka informacione dhe hetime, por luftës së korrupsionit po i mungojnë shifrat dhe nuk ka ende aktakuza të ngritura.

Sipas tij, të gjitha rastet e dyshimta do të përcillen në Prokurori, në Qendrën e Inteligjencës Financiare dhe mekanizmat tjera kompetentë.

Për më tepër, Preteni ka bërë të ditur se aktualisht në agjenci janë duke u hetuar 60 informata për veprime korruptive, disa prej të cilave veç kanë marrë epilogun për prokuroritë kompetente të vendit dhe ndërkombëtare.

Ai ka thënë, po ashtu, se në raportin e fundit të kësaj agjencie është propozuar që me Ligjin Antimafia të rregullohet konfiskimi i pasurisë.
Të enjten, drejtues të Agjencisë Kundër Korrupsionit kanë bërë të ditur se 84 zyrtarë të lartë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë brenda afatit, ndërsa 26 të tjerë nuk e kanë plotësuar formularin konform ligjit. Këta emra do t’iu drejtohen organeve përcjellëse për ndjekje penale.

Drejtori Preteni ka thënë se 95.4 për qind të zyrtarëve e kanë deklaruar pasurinë, 84 zyrtarë nuk e kanë deklaruar fare, ndërsa 26 nuk e kanë plotësuar formularin.

“Nga 1830 zyrtarë kanë pasur të deklarojnë pasurinë, 1746 e kanë deklaruar, 84 nuk e kanë deklaruar dhe 26 e kanë deklaruar pasurinë, por ka mangësi në përpilimin e formularëve të tyre. Të gjithë emrat e këtyre zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë do t’i përcjell në gjykatat kompetente, kurse për 26 që nuk e kanë plotësuar në formën e kërkuar do të presim afatin ligjor prej 15 ditësh, që kjo të evitohet. Në rast se nuk evitohet kjo mangësi, edhe këta zyrtarë do të kalojnë ose do t’i bartim emrat e tyre te gjykatat për kundërvajtje”, ka theksuar Preteni.

Ndër zyrtarët që nuk e kanë deklaruar pasurinë janë emrat e dy deputetëve, Azem Syla nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Rada Trajkovic nga JSL. Në këtë listë ka edhe zyrtarë nga ministri të ndryshme, agjenci publike dhe zyrtarë komunalë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›