E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pajtohet me Cooper’in

Delegacioni kosovar ka zhvilluar një telekonferencë me ndërmjetësin Robert Cooper. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë se pala kosovare ka rënë dakord me propozimet e BE’së për marrëveshjet, të cilat mund të arrihen gjatë qershorit apo korrikut. Por, mbetet ende i paqartë qëndrimi i palës serbe Nga Valmir Klaiqi më 17 qershor 2011 në ora 08:24

Ndërmjetësi i Bashkimit Europian në bisedimet Kosovë-Serbi, Rober Cooper, ka realizuar të enjten një telekonferencë me përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës në bisedime për të koordinuar datat dhe agjendën e raundit të ardhshëm, që pritet të mbahet në fund të qershorit.

Një ditë më herët, ai të njëjtën e ka realizuar edhe me palën serbe.

Delegacioni i Kosovës i ka konfirmuar gjatë kësaj telekonference ndërmjetësit Cooper se janë dakord me propozimet e tij të 6 qershorit për arritjen e marrëveshjeve për temat e diskutuara deri tani.

Udhëheqësja e ekipit kosovar në bisedime, Edita Tahiri ka konfirmuar të enjten për Express se kanë rënë dakord me propozimet europiane dhe, sipas saj, në këtë linjë pala kosovare do të punojë për realizimin e marrëveshjeve.

“Për sa u takon propozimeve, ato shkojnë në një linjë konstruktive për të krijuar mundësinë që të realizohet lëvizja e lirë, tregtia e lirë, gjithnjë duke u bazuar në parimet europiane.

Po ashtu, sa u takon çështjeve të energjisë, propozimet janë të bazuara në parimet e traktatit të Athinës për energjinë, të cilat janë të pranueshme sepse ne si shtet po aspirojmë në BE, prandaj edhe parimet e BE`së janë të pranueshme”, ka thënë Tahiri.
Për sa u takon çështjeve të telekomunikacionit, ajo ka thënë se kanë biseduar që platforma të jetë mbi bazën e një mekanizmi europian për rregullimin e telekomunikacionit.

“Sa i takon kthimit të dokumentacionit kadastral dhe regjistrave civilë, kemi diskutuar pra për mënyrën e verifikimit të dokumentacioneve që kanë mundur të ndodhin ndryshim të të dhënash në periudhën njëmbëdhjetë-dymbëdhjetë vjeçare që janë mbajtur në Beograd. Pas verifikimit do të kemi marrëveshje për t`i kthyer dokumentet”, tha Tahiri.

Por, ende nuk dihet nëse Kosova mund të marrë kopjet origjinale të këtyre dokumenteve.
“Këto janë opsione në tavolinë, varësisht nga procesi i verifikimit, atëherë do të vendosim”.

Tahiri ka folur po ashtu edhe për mundësinë që gjatë takimit të qershorit apo më së largu atij të korrikut, të mund të arrihen marrëveshjet.

“Mendoj se raundi i qershorit dhe korrikut do të prodhojë marrëveshje. Kjo sa na takon si palë e Kosovës, jemi të orientuar drejt marrëveshjes. Sa na takon neve, mund të arrihen. Tani presim që edhe pala serbe të ndjekë mendimin e marrëveshjeve”.

Tahiri ka shtuar se pala serbe, po ashtu, po punon intensivisht në mënyrë që takimi i raundit të pestë të dalë me rezultate.

Robert Cooper ka pasur një telekonferencë të mërkurën edhe me palën serbe, të ngjashme me këtë telekonferencë me palën kosovare dhe tani, pas marrjes së propozimeve nga të dyja palët për datën e bisedimeve, do të caktojë atë dhe së shpejti pritet të konfirmohet zyrtarisht.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›