E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i emergjencave, në Shkodër s’do ketë përmbytje të mëdha

SHKODËR- Masat e marra nga qeveria dhe zbatimi i planeve emergjence dhe afatmesme garantojnë që Shkodra të mos ketë përmbytje në përmasat e vitit të kaluar. Kështu është deklaruar gjatë mbledhjes së komisionit të emergjencave civile të Prefekturës së Shkodrës, i cili në mungesë të prefektit të paemëruar akoma është drejtuar nga kryetari i Këshillit të Qarkut, Maxhid Cungu. Ai ka theksuar se qëllimi i takimit të komisionit të emergjencave civile ka të bëjë me koordinimin e punëve ndërmjet institucioneve të pushtetit vendor dhe strukturat e tjera që ushtrojnë aktivitet në territorin e qarkut për parandalimin dhe menaxhimin e situatave të pritshme të vjeshtë - dimrit 2011- 2012. Drejtori i Bordit të Kullimit, Ridolf Rasha ka shtruar problematikat me të cilat përballet ky institucion ndërsa ka kërkuar bashkëpunim efikas me njësitë e qeverisjes vendore ku kalojnë argjinaturat e rikonstruktuara për ruajtjen e tyre. “Janë 60 km argjinaturë e rikonstruktuar që kalon në territorin e disa njësive të qeverisjes vendore, por ato është e pamundur të mbrohen, ruhen e menaxhohen nga Bordi i Kullimit. Dikur ky bord ishte ndërmarrje me 500 persona, tani ka vetëm 50. Argjinaturat duhet të ruhen nga pushteti vendor, policia e rendit, ajo komunale etj. Bashkëpunimi me njësitë e qeverisjes vendore ku kalojnë ato i shërben ruajtjes së tyre. Lumi Buna është shumë i lakmueshëm dhe siguron të ardhura për privatët, ka pasuri zhavorresh e inertesh, ka pasuri transporti, peshku e turizmi, ka fenomene në dëm të këtyre argjinaturave sepse për ta shfrytëzuar këtë pasuri duhet të kalohet mbi to. Ne nuk kemi informacion të saktë, legal lidhur me reshjet, sa ujë vjen nga Gjadri, sa vjen nga Kiri etj. Sa herë kalon sasia 1700 m3ujë në sekondë, uji do kthehet prapa se Buna nuk e thith dot dhe do futet në aurela, do mbysë fushën e Trushit dhe kalon tek kanali i Mërtemzës. Zgjerimi i këtij kanali duhet të jetë në qendër të vëmendjes dhe të kërkohet nga të gjithë. Ne e kemi kërkuar, por duhet këmbëngulje e të gjithëve. Kjo do bëjë që uji nga fusha e Trushit të ikë më shpejt”, - ka thënë Rasha. Ndërsa për drejtorin e Bujqësisë dhe Ushqimit, Guri Beshi, Shkodra do ketë gjithmonë përmbytje ndonëse në sasi të pakta. “Duhet ta themi dhe nuk duhet ta fshehim se masat e marra nuk do lejojnë përmbytjen në ato përmasa si vitin e kaluar, por Shkodra do të përmbytet gjithmonë nga uji sepse thith ujërat e gjithë Ballkanit. Dhe në kohë thatësire ne kemi 3000-4000 ha tokë që përmbyten, por ato janë kryesisht zona të ulëta e të pabanuara”, - ka thënë Beshi. D. Kolaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›