E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestimet, Kosova të hënën në protestë

PRISHTINE-Shoqatat e dala nga lufta të komunave Mitrovicë, Skënderaj, Drenas dhe Klinë, gjatë një takimi të tyre të mbajtur të premten në Skenderaj, kanë vendosur të organizojnë protestë gjithë popullore në mbrojtje të luftës dhe të figurave udhëheqëse të saj.

Protesta do të mbahet të hënën në Prishtinë.

Po ashtu, u vendos, që sot kryesitë e degëve të këtyre shoqatave të të gjitha komunave të Kosovës, të shkojnë para objektit ku do të mbahet seanca gjyqësore, për të shprehur pakënaqësinë e tyre me arrestimet, të cilat, siç u tha, bëhen dhe janë bërë në bazë të dëshmive të bashkëpunëtorëve të Serbisë.

Madje, Hysni Ngucati, kryetar i degës së OVL në Skënderaj, propozoi që të gjithë bashkëpunëtorët e EULEX-it të shpallen tradhtarë.

Smajl Elezi, nënkryetar i OVL- së UÇK-së në Kosovë, tha se arrestimet e fundit kanë goditur rëndë, jo vetëm ish-lloftarët, por edhe gjithë popullin e Kosovës.

“Ne duhet të organizohemi për një protestë në Prishtinë, në të cilën duhet të marrin pjesë shumë njerëz, nga të gjitha anët e Kosovës. Të paktën duhet të vijnë në protestë ata 57 aplikues që pretendojnë se ishin pjesë e luftës. Duhet të vijnë nga 7 zonat, sepse pjesëmarrja e vogël e humb vlerën e protestës dhe të reagimit. Protesta nuk bën të jetë e karakterit lokal, të mbahet vetëm në Skënderaj, apo në Drenas, protesta duhet të mbahet në Prishtinë, me pjesëmarrje masive”, tha Elezi.

Duke u ndërlidhur me propozimin e Ngucatit për t’i shpallur tradhtarë bashkëpunëtorët e Serbisë dhe ata të EULEX-it, Elezi theksoi se më parë duhet të miratohet Ligji i Lustracionit.

“Duhet të miratohet Ligji i Lustracionit, të hapen dosjet dhe të shihen njerëzit që kanë bashkëpunuar. Ky ligj nuk lejon bashkëpunëtorët e Serbisë të jenë askund nëpër institucione. Tani kemi raste, kur në polici, në prokurori, gjykata dhe institucione tjera publike punojnë njerëz që kanë qenë bashkëpunëtorë të Serbisë, apo djemtë e tyre”, ka thënë Elezi.

Ndërkaq, Rafet Ibishi, përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta të komunës së Mitrovicës, propozoi që kryesitë e të gjitha degëve të shoqatave të dala nga lufta të shkojnë në Prishtinë, para vendit ku do të nxirren para gjykatësve, të arrestuarit.

“Le të na marrin edhe neve, sepse nëse ata kanë bërë krime, kemi bërë edhe ne, edhe ne ishim pjesë e luftës. Në Prishtinë nuk do protestojmë vetëm për Sami Lushtakun dhe të tjerët nga Drenica, por edhe për gjykimet e udhëheqësve të UÇK-së të zonës së Llapit, të Fatmir Limajt dhe të ish-pjesëtarëve tjerë të UÇK-së. Lufta është bërë në gjithë Kosovën, ndërsa Sylejman Selimi ka qenë komandant i përgjithshëm i UÇK-së“, tha Ibishi.

(d.b/Express/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›