Akuza për mashtrim, lihet i lirë biznesmeni Ajdin Sejdia

Lirohet nga burgu biznesmeni Ajdin Sejdia, i arrestuar për llogari të Interpolit pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Emiratet e Bashkuara për mashtrim bankar.
62-vjecari Sejdia është lënë i lirë pak ditë më parë pas skadimit të masës së sigurisë 40 ditë, dhënë nga Gjykata e Kukësit me 17 prill, pasi në këtë periudhë nuk ka mbërritur dosja për ekstradimin e tij drejt Emirateve Arabe.
Sejdia u arrestua mbrëmjen e 16 prillit nga Policia e Kukësit, për llogari të Interpolit, teksa ai po lëvizte nga Tirana në drejtim të Kosovës, raporton BalkanWeb. Blutë kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të tij dhe, siç mësohet, e kanë ndaluar atë në afërsi të pikës kufitare me Kosovën për verifikim. Sipas një burimi policor, i dyshuari ka tentuar të paraqitet me emrin Avni Sejdia dhe fillimisht nuk i është bindur urdhrit për shoqërimin e tij në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Kukësit, duke pretenduar identitetin e mësipërm. Ajdin Sejdia ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Emiratet e Bashkuara për mashtrim bankar. Policia nuk kishte të dhëna në lidhje se sa është shuma për të cilën biznesmeni kërkohej, pasi ai është ndaluar thjesht për llogari të Interpolit.
Ajdin Sejdia është ekstraduar edhe disa vite më parë nga autoritetet zvicerane, sepse ai akuzohej për mashtrim të shumë personave në shuma të konsiderueshme. Ai kishte përdorur edhe andej të njëjtën skemë mashtrimi si në Shqipëri me skemat piramidale.
Por, pasi bëri shtatë vjet burg në Zvicër, më pas arriti të fitojë lirinë. Pas kthimit në Tiranë, ai hyri në tentativa me pronarët e tokës në krah të Bibliotekës Kombëtare dhe pasi bleu tokën, shpalosi idenë e tij për një hotel madhështor. Që nga ajo kohë, për shumë vite u hap një gropë e madhe, e cila u kthye në vatër prostitucioni dhe të përdoruesve të drogës. Vetëm pak kohë më parë u kthye në lulishte.
Sejdia krijoi edhe shoqërinë “Iliria Holding”. I ndaluari mbrëmë në Policinë e Kukësit nuk është marrë në pyetje, pasi sipas burimeve, në rastet kur ai kapet për llogari të një shteti tjetër, puna e tyre mbetet veç në nivel procedural. Nuk konfirmohet nëse ka edhe shtete të tjera që mund të kenë kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e tij për të njëjtën akuzë, atë të mashtrimit./Indeksonline./