E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuza per terrorizem nis ne Detroit gjyqi ndaj nigerianit

Nigeriani i akuzuar për tentativë të vendosjes së një bombe në një avion amerikan në Ditën e Krishtlindjeve dy vjet më parë, ka pranuar fajësinë gjatë procesit gjyqësor që nisi kundër tij në Detroit. Fillimisht ai ishte vetëdeklaruar i pafajshëm, por ka ndryshuar qëndrim duke pranuar të tetë akuzat e ngritura kundër tij, ku përfshihen terrorizmi dhe vrasje në tentativë.

Umar Farouk Abdulmutallab, 24 vjeçar kishte qepur një bombë në të brendshmet e tij dhe kur ajo nuk arriti të shpërthente, u përfshi edhe vetë nga flakët. Prokurorët thanë se afërsisht 300 persona ndodheshin në avionin që fluturonte për në Detroit, dhe për të cilin ishte destinuar edhe bomba e 24 vjeçarit. Ky i fundit rrezikon dënimin me burg të përjetshëm. 

Në momentin e pranimit të fajit, Gjykatësja Federale u sigurua se Abdulmutallab e kuptonte të drejtën e tij për të heshtur dhe i kërkoi të deklarohej. Gjykatësja këmbënguli “A jam korrekte kur them se ju dëshironi të hiqni dorë nga e drejta e heshtjes dhe të deklaroheni fajtor për të gjitha akuzat?”. “Po”, u përgjigj i pandehuri.

Al Kaeda me bazë në Jemen pretendon përgjegjësinë për përpjekjen e vendosjes së bombës në avionin që vinte nga Amsterdami. Zyrtarët amerikanë dhe jemenitë kanë dokumentuar lidhjet e nigerianit 24 vjeçar me klerikun radikal Anuar al-Aulaki, me të cilin është takuar në Jemen ku edhe është trajnuar përpara sulmit.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›