E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ulja e çmimit të energjisë, Klosi: 30 milionë euro u mbeten qytetarëve në xhep në 2025-ën

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ceno Klosi deklaroi sot se kostoja e vendimit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për uljen e çmimit të energjisë për abonentët familjarë llogaritet rreth 30 milionë euro në këtë vit.

Në një intervistë në medie, Klosi bëri të ditur se vendimi për uljen me 1 lekë të çmimit të energjisë bën që këto para të mbeten në xhepat e qytetarëve.

“U ngrit grupi teknik për skemën se si këto 30 milionë euro të shkojnë te konsumatori. Skenari numër 1 ishte t’iu shkonte të gjithëve, bizneseve më të mëdha, të vogla e familjarëve, por që reduktimi do ishte më i vogël se 30 milionë euro do shpërndaheshin në shumë klientë. Skenari i dytë do ishte të ulej të gjithë familjarëve dhe skenari i tretë do ishte për këtë kategori familjarësh që efekti do ishte më i ndjeshëm, por edhe që të krijojmë kulturën e familjarit për të përdorur energjinë në mënyrë më kursimtare”, thotë Ceno Klosi.

Por ai siguron se këto 30 milionë euro të munguara në buxhetin e shoqërive që prodhojnë e furnizojnë energji nuk do të jenë penguese për vijimësinë e punës në rrjetin elektrik.

“E gjithë kjo performancë e shoqërive e cila ka arritur të rregullojë të ardhurat, ka dy mënyra kur ato gjenerojnë fitime, të shkojnë për investime, ose të shkojnë në reduktim çmimi. Ne me investime mund të themi që janë bërë ndër vite investime të konsiderueshme, rrjeti është në situatë komplet tjetër. Kompanitë publike kanë kaluar dhe teste shumë të forta të krizave botërore të energjisë, edhe të kohës së COVID-it që kanë krijuar bindjen te qeveria se janë kompani të konsoliduara. Por as kryeministri, as zv/kryeministrja as zv/ministri askush nuk merr vendimin përveç kompanive se janë ato që mbajnë përgjegjësinë”, shtoi Klosi.

Klosi vuri në dukje se vendimi për përcaktimin e fashës prej 700 kW u mor pas një analize të gjatë.

“U mor një analizë se sa do të ishte një sasi energjie normale për një familje që të siguronte bolierin, gatimin, larje, ujin e ngrohtë e ngrohje minimale me kondicioner dhe u arrit në konkluzion që 700 kW ishin mjaftueshëm. Kjo u vendos si sasia tavan që të bësh pak ekonomi me energjinë që ta përfitosh, pastaj nëse shkon mbi këtë sasi, ke pajisje më shumë, i mban më shumë ndezur, do paguash me çmimin që është”, përfundoi ai.

Skema për uljen e çmimit për familjet shqiptare që harxhojnë më pak se 700 kW/h në muaj është gjithashtu një skemë që synon të nxisë në kursimin e energjisë elektrike. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›