“Akuzat e Edi Ramës ndaj sistemit shëndetësor, ‘nihilizëm dhe gënjeshtra’”
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, hodhi dje poshtë akuzat e opozitës për sistemin shëndetësor në vend, duke theksuar se fushata e tij denigruese karakterizohet nga nihilizmi dhe gënjeshtra. Nihilizmi i kryesocialistit Rama sipas nënkryetarit të Komisionit të Shëndetësisë Tritan Shehu vjen edhe për ato ligje, të cilat më parë kanë marrë miratimin e të majtës.
Në një takim me gazetarët deputeti Tritan Shehu tha se Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama kërkon të mashtrojë qytetarët me gënjeshtrat e tij për sistemin shëndetësor në vend.
Nga qendra shëndetësore nr. 2 në Tiranë ka dhënë argumente kundër deklaratave të kreut të selisë rozë.
Sipas Shehut, zhvillimi i reformave në shëndetësi, decentralizimi i sistemit, përfshirja e strukturave në skemën e sigurimeve etj, janë të vetmet rrugë që të çojnë në zhvillime pozitive cilësore të shërbimit, në përputhje me principet e ekonomisë së tregut.
Sipas tij sot në vend janë automatikisht në skemën e sigurimeve, pra përfitojnë falas medikamente dhe shërbimin rreth 530 mijë pensionistë, të papunët, ata me përkrahje sociale, nxënësit, invalidët e kategori të tjera nën nevojë.
“530 mijë pensioniste marrin shërbim shëndetësor dhe medikamente falas. Një përkrahje të tillë e përfitojnë edhe kategori të tjera sociale. Gjithsesi kontributi direkt i qytetarëve është themeli i ligjit të sigurimeve shëndetësore në shumë shtete europiane”, u shpreh deputeti i PD-së Tritan Shehu.
Kjo sipas Shehut kërkon rritje të ndjeshme buxheti në këto vite, duke arritur këtë vit buxhetin maksimal shëndetësor e social në vlerë, e cila i jep shtetit shqiptar një aspekt thellësisht social.
Sipas deputetit Shehu, ligji për sistemin e sigurimeve, i mbështetur dhe nga të majtët, është ndërtuar me asistencën e plotë të Bankës Botërore dhe tashmë është më i suksesshmi në hapësirën europiane.
Në këtë këndvështrim sipas Shehut deklaratat e Ramës janë utopike.
Për deputetin demokrat rrugët e zgjidhjes për problemet ekzistuese që prezanton Edi Rama janë krejt irracionale, e centraliste dhe absolutisht të kundërta me ato zhvillime që ka nevojë sistemi ynë shëndetësor në të ardhmen.