E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Akuzat e PL, SPAK: Asnjë kërkesë nga Beleri e Dule për të takuar Metën

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar ndaj akuzave të ngritura nga sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, se deputeti i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, dhe eurodeputeti Fredi Beleri, nuk janë lejuar të takojnë Ilir Metën në burg.

Sipas SPAK, në këtë rast deputetët nuk kanë nevojë për autorizimin paraprak të prokurorit dhe se miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

“Në bazë të nenit 51 të ligjit nr. 81 të vitit 2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetë, pa autorizimin paraprak të Prokurorit.

Në këtë rast, miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Deri në orën 15:15 të dt.31.01.2025, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur,” njofton SPAK.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›