Akuzat komuniste: Pjetër Arbnori ka luftuar partinë, që kur ishte 13 vjeç
Pas arrestimit, prokurorët e çështjes do të ngrinin një akuzë qesharake ndaj shtatë të rinjve, të cilët kishin idenë e krijimit të partisë së parë opozitare në vend. Trupi gjykues, i përbërë nga Llazi Polena, Reshat Nepravishta dhe Xhevit Myrto, si fillim do të vendoste dënim me vdekje për Pjetër Arbnorin dhe Uran Kalakulën, por disa kohë më pas vendimi i parë u anulua dhe u vendos që të dy të dënoheshin me 25 vjet burg.
Në vendimin e gjyqit Pjetër Arbnori do të shihej si organizator i gjithë kësaj çështjeje. Sipas prokurorëve dhe gjyqtarëve komunistë, Arbnori rezulton se paska filluar veprimtari armiqësore që në vitin 1949, ku rezulton të ketë qenë vetëm 13 vjeç. Gjatë këtyre viteve, sipas prokurorëve komunistë, Arbnori paska organizuar arratisjen e dy personave, ka marrë pjesë aktive në grisjen e flamurëve të BS, por më e rënda ishte se paska qenë djali i Filip Tomës, të cilin diktatura e kishte shpallur armik të popullit. Disa akuza, të cilat sot do të bënin të qeshnin dhe fëmijët. Me të njëjtat akuza u dënua me vdekje dhe Uran Kalakula, por edhe këtij më pas iu fal jeta, ashtu si dhe Pjetër Arbnorit.
Të tjerët
Por dënime të rënda morën dhe anëtarët e tjerë të grupit, Riza Kuçi, Tanush Kaso, Kareman Paftali dhe Agim Musta. Të gjithë ata do të vuanin më pas kalvarin e gjatë të burgjeve komuniste. Do të vuanin mungesën e lirisë, kur ishin vetëm nga 26-27 vjeç. Do të bonifikonin këneta, do punonin në punët më të rënda, ku sistemi i atëhershëm dërgonte ata që guxonin dhe kërkonin liri. Grupi i Pjetër Arbnorit, siç preferonte t’i quante diktatura, sepse ata nuk ishin tjetër vetëm se disa të rinj idealistë, do të njihet në historinë komuniste të këtij vendi, si të parët persona që guxuan të mendonin se në këtë vend mund të krijohej një parti tjetër, veç asaj që ishte në pushtet. Të gjithë ata e paguan me vitet e jetës së tyre, ndërsa vetë Arbnori do të vuante 28 vjet burg dhe pas demokracisë do të merrte emrin “Mandela i Shqipërisë”.
Fundi
Sot, disa prej tyre janë gjallë, ndërsa Arbnori dhe Kalakula janë ndarë nga jeta. Sa për dy bashkëpunëtorët e Sigurimit, ata që janë sot ende gjallë, nuk e kanë të vështirë t’i gjejnë. Tanush Kaso, një prej anëtarëve të grupit, thotë se asnjëherë s’ka marrë mundimin të pyesë se cilët janë ata dhe se çfarë bëjnë, por shprehet se, në rast se do të donte, mund t’i gjente. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe të tjerët. Nuk është se duan të hakmerren, por ama kërkojnë dhe që të dënohen krimet e komunizmit. Ata vuajtën burgjet e komunizmit, në një kohë kur diktatura ishte në majat e saj dhe vetëm e vetëm se shpresonin se do të vinte një ditë si kjo. Por dhe dita e lirisë i ka zhgënjyer paksa, sepse për vuajtjet e tyre shumë të paktë janë ata që po kujtohen. Më poshtë po japim të plota akuzat që iu bënë Pjetër Arbnorit, që u cilësua si kreu i organizatës.
Vendimi për Arbnorin dhe dënimet që u dhanë nga gjykata e asaj kohe
Gjatë zhvillimit të gjykimit rezultoi plotësisht e provuar se të pandehurit Pjetër Arbnori, Zeqir Koçi, Uran Kalakula, Agim Musta, Riza Kuçi, Tanush Kaso dhe Karaman Paftali, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar dhe kanë bërë pjesë në një grup të organizuar dhe armiqësor kundër pushtetit popullor, që kishte për qëllim të shtonte radhët e tij me elementë armiq, me qëllim që të përmbysnin pushtetin popullor me anën e forcës, duke kryer në këtë mënyrë krimet e parashikuara nga Nenet 76-64, dhe 73/1 të Kodit Penal..
Krimet e mësipërme rezulton t’i kenë kryer në këto rrethana. I pandehur Pjetër Arbnori, i biri i tradhtarit të popullit, Filip Toma, Kapitenit të Xhandarmërisë dhe shërbëtorit të fashizmit italian, që në vitin 1949, kur ai filloi gjimnazin e Shkodrës, filloi aktivitetin e tij kriminal, duke pasur mbështetje të atin. Ai me anën e agjitacionit dhe propagandës që bënte kundër pushtetit popullor, ai me gjuhën e tij prej gjarpri mundi të helmojë, të bëjë për vete dhe të hedhë në rrugën e tradhtisë elementët e kategorisë së tij siç janë: Gabriel Perkola, Gjovalin Prela, Frano Shiroka e të tjerë. Ai së bashku me ta krijoi një grup armiqësor në Shkodër që në vitin 1953 (në atë kohë Arbnori ishte 14 vjeç) dhe deri në vitin 1953, së bashku me ta ka bërë mbledhje dhe takime të panumërta. U provua se në çdo takim dhe mbledhje që kanë bërë, kanë shtruar ca detyra, ku e para ishte se si të shtonin radhët e grupit me elementë armiq, të bënin agjitacion e propagandë, të shpërndanin lëndë propagandistike dhe të lidheshin me agjenturat e huaja, me qëllim që të ndihmoheshin prej tyre për të përmbysur pushtetin popullor, sipas vendimit të marrë që në vitin 1957, me iniciativën e të pandehurit Pjetër, u përpiluan dhe u shpërndanë një sasi traktesh me përmbajtje armiqësore. Ka grisur flamurin sovjetik, ka marrë lëndë propagandistike nga diversantët dhe i ka përdorur ato për qëllimet e veta. Po për qëllime armiqësore në vitin 1953, mbasi e instruktojnë mirë e mirë, arratisen jashtë shtetit për në Jugosllavi, kriminelin dhe bashkëpunëtorin e të pandehurit Gabriel Perkolën, me qëllim që të merrte kontakte me armiqtë e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe të viheshin më pas menjëherë në lidhje me grupin kriminal që drejtohej nga i pandehuri Pjetër. Kur i pandehuri pa se Gabrieli për një kohë të gjatë nuk ktheu përgjigje, atëherë vendos të dërgojë Gjovalin Prelën, me qëllim që të plotësohej me çdo kusht lidhja me të huajt. Po për qëllimet e mësipërme, mbasi e instruktojnë, e nisin për në Jugosllavi në vitin 1954. Edhe këtij qëllimi kriminal nuk mundi t’ia mbërrinte dot deri në fund, pasi jashtë çdo dëshire në kohën që po tentonte të kalonte në Jugosllavi, u mbyt në lumin e Bunës. I pandehuri Pjetër përgatiti edhe një letër për t’ia dërguar të ashtuquajturit Komiteti Shqipëri e Lirë.
Me gjithë disfatat e herëpashershme që i pandehuri Pjetër po pësonte, ai përsëri nuk hoqi dorë për asnjë çast dhe jo vetëm kaq, por ai e shtoi edhe më tepër aktivitetin e tij kriminal. Mbas këtyre disfatave largohet nga qyteti i Shkodrës dhe shkon në Durrës pranë shokut të tij, të pandehurit Zeqir Koçi, me të cilin që në fillim të vitit 1956 ishin njohur njëri me tjetrin për veprimtarinë antipushtet. Aty u lidhën dhe me të quajturin Selim Resulin dhe të tre së bashku krijojnë grupin armiqësor në Durrës. Edhe në këtë grup i pandehuri Pjetër shtronte të njëjtat gjëra, të shtonin radhët e grupit, të bënin agjitacion dhe propagandë dhe të lidheshin me agjenturat e huaja. Për qëllimet e tyre kriminale kanë zhvilluar mbledhje dhe takime të ndryshme si në familjet e tyre, në natyrë e gjetkë dhe në çdo mbledhje ata flisnin për shtimin e radhëve me elementë armiq, thoshin gjoja ‘gjendja ekonomike nuk është e mirë’, ‘ka shfrytëzim të njerëzve’ e të tjera. Sipas tyre, për këto arsye duhej krijuar një i ashtuquajtur grup socialdemokrat dhe me anën e ndihmës dhe ndërhyrjes nga jashtë të përmbysnin pushtetin popullor dhe të marrin udhëheqjen. Për t’u lidhur me jashtë, dy herë me radhë janë munduar të dërgojnë të pandehurin Zeqir dhe, kur kalimi i të pandehurit Zeqir ishte i pamundur, atëherë i pandehuri Pjetër lidhet me të quajturin Frano Shirokën, i cili ishte argjendar në qytetin e Durrësit dhe në vitin 1957 ai mundi të krijojë me anën e njerëzve të UDB ndërmjetësin e Frano Shirokës, duke dërguar në këtë mënyrë veprimtarinë e bërë dhe duke marrë udhëzime e lidhje, të cilat i mbajti deri në kohën e arrestimit.
U provua se, pasi ishte njoftuar shumë mirë për punë armiqësore me të pandehurin Tanush Kaso, në vitin 1960, po me të pandehurin Tanush, u lidhën me grupin armiqësor të Tiranës që kryesohej nga i pandehuri Uran Kalakula.
U provua se të pandehurit Pjetër dhe Zeqir së bashku me të deleguarin e Tiranës Uran Kalakula, gjatë viteve 1960-1961 kanë bërë 4-5 mbledhje si në Tiranë, Durrës e gjetkë dhe vendosën që të bashkoheshin të dyja palët dhe të krijonin një grup të përbashkët socialdemokrat, të shtonin radhët e tyre me elementë armiq, të caktonin një kuotë mujore, të lidheshin me agjenturat e huaja dhe të hartonin një program.
Sipas vendimit të marrë dhe pasi u konsultuan të dy palët, atëherë u hartua plani nga i pandehuri Pjetër dhe u shtyp dhe u shumëfishua nga i pandehuri Zeqir. Mirëpo në kohën që do të bëhej mbledhja e përbashkët dhe do të shpërndahej programi, u diktuan dhe u kapën papritmas nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit.
Pretendimi që kundrejt të pandehurit Pjetër Arbnori të mos aplikohet dënimi kapital është i pabazuar, sepse është Pjetri ai që ka 13 vjet rresht që do t’i vërë minat pushtetit popullor. Është Pjetri ai, i cili që në vitin 1952 ka grisur parullat dhe flamurët sovjetikë, është Pjetri ai që ka përpiluar dhe ka shpërndarë trakte kundër pushtetit popullor, është Pjetri ai që ka marrë dhe ka shpërndarë lëndë propagandistike që i vinte nga jashtë, është Pjetri ai që ra dakord dhe arratisi në vitin 1953 për në Jugosllavi armikun e popullit Gabriel Perkolën, që të mbanin lidhje me jashtë, është Pjetri ai vodhi fishekë dhe armatosi Gjovalinin, i cili tentoi të arratisej në Jugosllavi në vitin 1954, është Pjetri që u lidh me grupin e Tiranës, është Pjetri që përpiloi programin, është Pjetri ai që nuk ka lënë gjë pa bërë për të përmbysur pushtetin popullor, prandaj, kundrejt një njeriu të tillë, i cili është përpjekur dhe ka bërë ç’është e mundur për të krijuar një gjakderdhje të kotë, prandaj, kundrejt një personi të tillë nuk duhet treguar mëshirë, por ashpërsim, ashtu sikundër dhe ai ashpërsisht ka vepruar kundër Popullit dhe Atdheut
Për këto arsye
Trupi Gjykues, duke u bazuar në Nenin 277, 278 dhe 284 të Kodit të Procedurës Penale
Vendosi
Të deklarojë fajtor të pandehurin Pjetër Arbnori për krimin e tradhtisë ndaj atdheut dhe në bazë të nenit 64, në kombinim me nenet 76-14 e dënon me vdekje me pushkatim, konfiskim të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme
2) Deklaron fajtor të pandehurin Uran Kalakula për krimin e tradhtisë dhe në bazë të Nenit 64-76-14 të Kodit të Procedurës Penale e dënon me vdekje me pushkatim, konfiskim të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të pjesës së tij.
3) Deklaron fajtor Zeqir Koçin për krimin e tradhtisë ndaj atdheut dhe në bazë të Nenit 64-76-14 të Kodit të Procedurës Penale e dënon me heqje lirie 20 vjet, me konfiskim të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.
4) Deklaron fajtor të pandehurin Riza Kuçi për krimin e tradhtisë ndaj atdheut dhe në bazë të Nenit 64-76-14 të Kodit të Procedurës Penale e dënon me 15 vjet heqje lirie me konfiskim të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme pjesë e tij.
5) Deklaron fajtor të pandehurin Tanush Kaso për krimin e tradhtisë ndaj atdheut dhe në bazë të Nenit 64-76-14 të Kodit të Procedurës Penale e dënon me 13 vjet heqje lirie me konfiskim të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme pjesë e tij.
6) Deklaron fajtor të pandehurin Agim Musta për krimin e tradhtisë ndaj atdheut dhe në bazë të Nenit 64-76-14 të Kodit të Procedurës Penale e dënon me 13 vjet heqje lirie me konfiskim të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme pjesë e tij
7) Deklaron fajtor të pandehurin Kareman Paftali për krimin e tradhtisë ndaj atdheut dhe në bazë të Nenit 64-76-14 të Kodit të Procedurës Penale e dënon me 10 vjet heqje lirie me konfiskim të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme pjesë e tij.