Biznesi i vogël, bien shitjet nga 10,1 miliardë vjet në 9,7 miliardë lekë
Shitjet e kryera nga biznesi i vogël kanë rënë me 3,5% gjatë gjashtë muajve të fundit. Të dhëna nga administrata e tatimeve bëjnë me dije se rezultatet e paraqitura nga biznesi me anë të bilanceve të tij tregojnë për një rënie të shitjeve krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm. Aktualisht, në Shqipëri numërohen mbi 85 mijë biznese të vogla, të cilat paguajnë një tatim fitimi prej 1,5 %, të cilin e mbledhin organet e qeverisjes vendore. Gjatë gjashtë muajve të dytë të vitit të vitit të kaluar, sipas të dhënave të administratës së tatimeve, numri i bizneseve të vogla që ishin të regjistruara dhe që paguanin tatim fitimi ishte rreth 76 mijë syresh dhe ndërkohë ky numër më i vogël biznesesh kishte kryer një xhiro të përgjithshme më të madhe sesa 85 mijë biznese në gjatë muajt e parë të këtij viti. Në buxhetin e shtetit të ardhurat nga biznesi i vogël janë parashikuar pak më shumë sesa 2,9 miliardë lekë (2, 959 miliardë lekë) për këtë vit, të cilat zënë rreth 0,3 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto. Gjatë vitit që kaloi biznesi i vogël rezultoi të ketë kryer gjatë gjashtë muajve të dytë një xhiro prej rreth 10,110 miliardë lekësh ose mbi 120 milionë dollarë. Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti ky zë i biznesit ka kryer një xhiro që është rreth 9,7 miliardë lekë. Këto të dhëna dëshmojnë qartë se me gjithë rritjen e dukshme të çmimeve dhe me gjithë numrin e rritur të bizneseve të vogla shitjet e këtij të fundit kanë rënë. Kjo gjë dëshmohet në fakt edhe nga rënia e lehtë e konsumit në këta muaj. Pavarësisht faktit se rënia është në vlera jo shumë të thekshme, ajo përsëri është një shenjë e keqe që drejtpërdrejt ka të bëjë me rënien e pushtetit të blerësve ose më saktë me rënien e fuqisë blerëse. Administrata e tatimeve ushtron kontrolle në bizneset e vogla për të kontrolluar numrin e punonjësve të regjistruar dhe pagesën nga ana e tyre të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ndërsa tatimin e fitimit e mbledh njësia e qeverisjes vendore, megjithatë punonjësit tatimorë kanë ende një pushtet të gjerë te këto biznese edhe për shkak të pafuqisë së qeverisjes. Numri i bizneseve të reja të çelura nuk mund të përcaktohet saktë, por mund të thuhet se që prej vitit 2005 janë regjistruar rishtas në organet e tatimeve më shumë se 22 mijë biznese të vogla. Disa prej tyre mund të kenë qenë ekzistuese dhe thjesht tashmë janë regjistruar dhe disa të tjera mund të çelur rishtas. Pavarësisht këtij numri të ri të bizneseve të vogla, rënia e shitjeve të tyre është treguesi më i vlefshëm se ato nuk po kalojnë një periudhë të mirë.