E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e Pavarësisë amerikane, poezia e Mustafaj dhe fati i Mediut


Antena brenda Familjes

Dita e Pavarësisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës bashkoi dje politikanët dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Shqipëri në rezidencën e ambasadorit Withers. Ceremonia, e cila nisi me prezantimin e flamujve dhe vazhdoi me përshëndetjen e ambasadori amerikan, kaloi në një atmosferë festive. Kryeministri, Sali Berisha, i vetmi zyrtar i lartë i shtetit shqiptar që mungoi dje në festë, ishte nisur pasdite për në Dubrovnik, në një takim rajonal. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, arriti në festë dhe, pasi u përshëndet me shumë kujdes me ambasadorin Withers, ndenji thuajse i vetmuar ose i shoqëruar nga miq të tij gjatë darkës.

Në programin që shpërndahej në hyrje të rezidencës së ambasadorit, binte në sy se ishte cituar një poezi e poetit dhe ish-ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj, e titulluar “Heronjtë dhe unë”. Poezia ishte përzgjedhur simbolikisht për të treguar de-mitizimin e heronjve në Shqipëri dhe figurave politike.

Presidenti Topi dhe kryetarja e parlamentit, Topalli, ishin afër njëri-tjetrit, por thuajse shmangën çdo komunikim, ndërsa lideri i opozitës, Edi Rama, si zakonisht ndenji nën shoqërinë e socialistëve dhe përfaqësuesve të medias.

Ndërkohë, batuta kryesore e mbrëmjes, që qarkullonte mes gjithë të ftuarve, ishte ajo e gazetarit Ilir Babaramo, i cili kishte patur një dialog të vështirë me ish -ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Duke debatuar gjatë rreth agresionit që media po ushtron mbi Mediun, Babaramo, i cili kishte ardhur paksa në qejf prej pijes, më në fund vendosi të qetësonte Mediun.

- Dëgjo, Fatmir, - i tha. - Media nuk ka gjë me ty dhe as që dyshon fare te ty. Por ti je thjesht një fatkeq. Ai fat të ra, s’ke ç’i bën. Kur ishte Fatos Nano kryeministër, djali i tij ishte i shkolluar dhe kishte pasion celularët. Kaq mjaftoi që, pasi ndërroi pushteti, Dhimitër Rafti të ikte refugjat. Ty të qëlloi fat i keq, se çuni i kryeministrit kishte pasion fishekët. Po mos ça kokë se maksimumi refugjat do përfundosh si Rafti.

Dialogu i Babaramos qarkullonte me shpejtësi në çdo grup gjatë darkës dhe ilustronte më së mirë faktin pse mungonte kryeministri, pse ishte i vetmuar Mediu, pse nuk fliste Topi me Topallin dhe pse Pandeli Majko ishte i gëzuar që nuk i kishte ndodhur Gërdeci.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›