E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat ndaj Pacollit, Qeveria e kalon në heshtje

Dhe pse ka kaluar një javë nga shpërthimi i skandalit me hotelin “Grand” ,qeveria Kosovës vashdon të heshtë lidhur me akuzat për përfshirjen e Zëvendëskryeministrit të Parë, Behxhet Pacolli.
 

Ndërsa ende nuk ka një vendim nëse Pacolli do të "lirohet" nga posti qeveritar për shkak të hetimeve që janë duke u zhvilluar, në Qeveri hezitojnë të flasin për rastin konkret.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili është edhe zyrtar i lartë i PDK`së, thotë se nuk i komenton rastet specifike të drejtësisë.
"Këto janë çështje të drejtësisë dhe unë s`i komentoj", ka deklaruar Kuçi kur është pyetur se cili është qëndrimi i Kryeministrit dhe Qeverisë për aferën e Pacollit me Grandin.
 

Megjithëse, Qeveria e Kosovës nuk është distancuar nga veprimet e Pacollit, i cili është i përfshirë në aferën e privatizimit të hotelit Grand. Zëvendëskryeministri i Parë kishte thënë se ish-zyrtari i kësaj Qeverie, Astrit Haraqija i kishte kërkuar miliona euro në këmbim të rregullimit të pronësisë së hotelit Grand. Më vonë kishte dalë se Pacolli kishte shkelur ligjin, pasi nuk e kishte denoncuar me kohë Haraqinë për kërkim të ryshfetit, shkruan gazeta Express.
 

Në këtë situatë, Qeveria dhe Kryeministri nuk kanë dalë as në mbrojtje të Liderit të AKR`së, i cili ka thënë se nuk do të largohet vetë nga Qeveria.
Hajredin Kuçi ka pohuar se Qeveria e Kosovës u jep mbështetje të plotë vetëm organeve të drejtësisë për të hetuar secilin rast ku ka dyshime për veprime të jashtëligjshme.
"Dëshiroj të theksoj se Qeveria e Kosovës i jep mbështetje të plotë organeve të drejtësisë", ka thënë Kuçi.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›