E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat ndaj Thaçit, Prokuroria i kërkon KE-së provat e Martit



Prokuroria e Shtetit të Kosovës i ka kërkuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që materialet e siguruara nga deputeti i saj, Dik Marti për trafiqet e organeve, krimit të organizuar, t’ia dërgojë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, që udhëhiqet nga një prokuror ndërkombëtar. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, Prokuroria e Shtetit e Kosovës, ka siguruar se pohimet e hetuesit Dik Marti do të vlerësohen si informacione shumë serioze dhe për këtë arsye do të bashkëpunohet ngushtë me të gjithë faktorët relevantë, për hetimin e drejtë dhe të paanshëm të tyre. Zëdhënësja e prokurorisë, Liridona Kozmaqi tha se prokurorët e kësaj prokurorie janë të përzgjedhur nga vendet me sistemet më të mira europiane dhe të dyshohet në paanshmërinë dhe profesionalizmin e tyre për të zgjidhur edhe rastet e krimeve të luftës, duke përfshirë edhe rastin lidhur me pohimet në raportin e Dik Martit është në radhë të parë fyerje për prokuroritë e atyre shteteve. “Prokurorët janë përzgjedhur nga vendet me sistemet më të mira dhe me besueshmëri prokuroriale dhe të dyshohet në paanshmërinë, kapacitet dhe profesionalizmin e tyre për të zgjidhur edhe rastet e krimeve të luftës, duke përfshirë edhe rastin lidhur me pohimet në raportin e Dik Martit është në radhë të parë fyerje për prokuroritë e atyre shteteve”, thuhet në komunikatën shpërndarë medieve. Prokuroria e Shtetit ka rikujtuar madje se prokurorët e Tribunalit së Hagës në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë, me ekspertët e gjykatës dhe me ata shqiptarë, kanë zhvilluar një hetim që ka rezultuar me mosgjetjen e provave për pohimet lidhur me trafikimin me organe njerëzore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Një pikë ku prokuroria kosovare ka vënë theksin ka qenë dhe fakti, se detyrë për të akuzuar gëzojnë vetëm prokuroritë. “Vetëm prokuroritë, si organe kompetente të një shteti apo ato të themeluara për të vepruar pranë tribunaleve apo gjykatave janë kompetente për të akuzuar një person për kryerjen e një shkeljeje penale dhe se këtë kompetencë nuk e ka askush tjetër”. Hetimet e raportuesve të parlamenteve, Prokuroria e Shtetit i vlerëson si informacione që duhet dërguar organeve kompetente për ndjekje penale. Vetë kryeministri Thaçi i ka konsideruar akuzat e raportuesit të Këshillit të Europës si të pabaza dhe është shprehur se do të ngrejë një padi ndaj Martit, i cili ka reaguar se Thaçi nuk mund mund të ngrejë padi ndaj tij, sepse ka imunitet. Akuzat e Dik Martit janë konsideruar të pavërteta nga ekspertë të ndryshëm, përfshirë Aleksej Duma, eksperti i njohur maqedonas në mjekësinë ligjore. Dum ka shprehur dyshime të mëdha se akuzat mund të jenë të sakta. Ai ka nënvizuar se duhet një nivel i lartë profesional për operacionet që pretendohen se janë bërë ndaj serbëve dhe se këtë duhet ta bëjnë kirurgë të specializuar dhe jo hamallë.

Koalicioni në Kosovë, pas 9 janarit

Koalicioni i ri qeverisës do të formohet një javë pasi të kryhet rivotimi në pesë komunat. Kështu është shprehur kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi në një intervistë për gazetën “Koha Ditore”. “Flas me bindje të plotë se që në javën e parë pas 9 janarit do të zyrtarizoj koalicionin gjithëpërfshirës dhe shumetnik”, ka thënë Thaçi. Ai nuk ka treguar se me kë do të bëjë koalicion, por tregon se kush nuk mund të bashkëqeverisë me të. Sipas Thaçit, përjashtohen mundësitë për krijimin e një koalicioni me “Vetëvendosje”-n dhe LDK-në. “Ata që janë kundër autostradës, kundër ekonomisë së lirë të tregut, kundër privatizimit, ata që i takojnë mentalitetit të së kaluarës, dhe ata që premtojnë bashkim kombëtar elektoral, nuk mund të jenë në qeverinë time”, ka thënë Thaçi. “Vijat e kuqe”, që i nxjerrin disa anëtarë të AAK-së për të mos hyrë në koalicion me PDK-në, Thaçi nuk i merr shumë seriozisht, ashtu sikur nuk e mohon se po t’i jepej mundësia do të vizitonte Ramush Haradinajn në Tribunalin e Hagës. Me bindjen së është politikan më i votuar në Kosovë, ai e ndien veten përgjegjës për të gjetur një president të mirë, por nuk thotë nëse ai mund të jetë Behxhet Pacolli, Blerim Shala, Murat Jashari apo Adem Demaçi.

PDK-ja e Thaçit, pranë krizës së thellë

Brenda radhëve të PDK-së mund të krijohen përçarje të thella për shkak të manipulimit të votave, që janë bërë nga vetë kjo parti në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Duke iu referuar burimeve pranë kësaj partie, në partinë e kryeministrit Thaçi ka shumë persona të irrituar nga manipulimet e bëra nga vetë komisionerët e PDK-së, gjë që mund të shkaktojë probleme të mëdha në një të ardhme të afërt. “Nëse procesi i rinumërimit nuk i korrigjon gabimet dhe nëse më 9 janar do ketë sërish manipulime, atëherë partia do të zhytet në një krizë të thellë të brendshme”, kanë deklaruar burimet. Shqetësim për situatën dhe parregullsitë ka shprehur edhe sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, i cili ka aluduar për një “organizim konspirativ” të zgjedhjeve në shumë qendra votimi.

Maqedoni
Pronari i “A1”, në paraburgim për 30 ditë

Gjykata e Shkupit ka caktuar masën e paraburgimit tridhjetë ditë për pronarin e televizionit A1, Velija Ramkovski dhe pesëmbëdhjetë personave të tjerë, ndër ta edhe drejtoresha e këtij televizioni dhe drejtues të kompanive pronë e Ramkovskit.
Ata akuzohen për fshehje taksash që kapin disa milionë euro, për larje parash dhe vepra kriminale. Ndër 23 personat e ndaluar fillimisht nga policia kishte edhe shtetas kosovarë dhe turk, por autoritetet nuk e kanë bërë të ditur identitetin e tyre. Avokati i manjatit të medias në Shkup është shprehur i habitur me këtë masë të gjykatës dhe e quajtur këtë një skenar të sajuar.

Pakistan
Dhjetëra viktima dhe të plagosur nga sulmi

40 persona kanë mbetur të vdekur në Pakistan si pasojë e një sulmi të kryer nepërmjet helikopterëve luftarakë në rajonin Mohmand, pranë kufirit afgan. Ky zhvillim vjen një ditë pasi më shumë se 20 militantë dhe 11 ushtarë u vranë kur pika kontrolli u sulmuan në këtë zonë. Lajmi për kundërsulme me helikopterë erdhi disa orë pasi një sulmues vetëvrasës i veshur me burkë tradicionale të grave, sulmoi një grup të madh njerëzish që ishin mbledhur në rajonin fqinj Baxhaur. Të paktën 40 vetë u vranë dhe 60 të tjerë u plagosën në qytetin Khar.

Holandë
Dyshime për terrorizëm, arrestohen 12 somalezë

Policia në Roterdam ka arrestuar 12 shtetas somalezë, për shkak të dyshimit se janë të përfshirë në aktivitetet terroriste, ka bërë të ditur prokuroria holandeze. Policia ka thënë se të arrestuarit po planifikonin sulme terroriste në territorin e Holandës. Shtetasit e Somalisë të arrestuar në Roterdam ishin të moshës 19 deri 48 vjeç. Nëpërmjet operacioneve të koordinuara, këta perosna janë arrestuar në dhoma hotelesh dhe dyqane, megjithatë behet e ditur se në momentin e arrestimit nuk u janë gjetur lëndë eksplozive.

27 Dhjetor 2010

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›