E Shtunë, 31 Tetor 2026

A fshihet Rusia pas Dick Marty



Denis MacShane

Në kulmin e WikiLeaks-it, një tregim tjetër shpërtheu në faqet e para të mbarë botës, e që pretendon se kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte krimineli kryesor i përfshirë në vrasjen e njerëzve, për nxjerrjen e organeve të tyre për shitje.
Prej kohës së Pol Potit nuk janë bërë deklarata të tilla për një udhëheqës në detyrë. Thaçi është ri-mandatuar në dhjetor të këtij viti, duke marrë mbështetje me 34% të votave të kosovarëve, pra ai ka marrë pak më pak vota sesa David Cameron dhe shumë më tepër se Xhorxh Bushi, në vitin 2000.

Asnjë palë zgjedhje në Ballkan nuk janë pa akuza për parregullsi në votime. Partitë politike në Kosovë janë klanore, të lidhura me interesa të dyshimta biznesi dhe të financuara pjesërisht nga diaspora kosovare. Liderët politikë kosovarë, sikurse edhe ata kroatë, malazezë, shqiptarë dhe maqedonas, rregullisht janë të akuzuar (shpeshherë edhe me të drejtë) për shmangie të deklarimit të financimeve të fushatave të tyre apo të partive që përfaqësojnë.

Për rrjedhojë, “biznesi” në Ballkanin Perëndimor është më tepër i mbështetur në kontrabandën e cigareve dhe trafikimin skllavërues të seksit, sesa në aktivitetin legal ekonomik, dhe politikani që nuk mund të akuzohet se e mban një kompani me rekorde të këqija, me të vërtetë është një “specie e rrallë”.

Thaçi nuk dallon nga të tjerët. Por, Thaçi, i cili ishte në dhe jashtë pushtetit për një dekadë, operon si politikan që është i mbikëqyrur së brendshme nga një strukturë speciale e Kombeve të Bashkuara dhe e Bashkimit Europian, si dhe nga vëzhgues të jashtëm apo dhe vizitorë të tjerë të zakonshëm.

Raporti që ka shkaktuar tronditje, ende nuk është miratuar nga Këshilli i Europës, por vetëm nga një prej shumë nënkomiteteve që ka ky organizëm. Ai është shkruar nga politikani i fortë dhe avokati prokuror zvicerano-italian, i quajtur Dick Marty. Ai është i afërt me bashkëpatrioten e tij italiane, avokaten politike, Carla Del Ponte, - libri i së cilës, i publikuar në Itali kishte bërë akuza identike me ato që shkruhen në raportin e Marty-t.

Raporti i zotit Marty nuk është dokument i saktë juridik. Ai përmban teori të trazuara të politikës perëndimore, derisa ai përfshin krizën e Kosovës së fundit të viteve ‘90.

Në këtë dokument, zoti Marty reflekton politizimin e Këshillit të Europës, i cili që prej vitit 1995 ka pranuar si anëtar të tij edhe Rusinë, dhe kjo organizatë është përdorur me mjeshtri nga Kremlini për t’i avancuar interesat diplomatike të Rusisë.

Atje Rusia kishte kultivuar aleatë në blloqe të ndryshme politike. Në Britani, anëtari liberal – demokrat i Parlamentit dhe anëtar i Këshillit të Europës, Mike Hanckok, ishte akuzuar nga kryesuesi i Grupit të të gjitha partive britanike parlamentare se në mënyrë flagrante ishte pro Rusisë në debatet e zhvilluara në Këshillin e Europës.

Anëtarët konservatorë britanikë të Parlamentit në Këshillin e Europës ulen në të njëjtin grup me delegacionin e zgjedhur nga Vladimir Putin.
Rusët, me mbështetjen e anëtarëve konservatorë të Parlamentit britanik, kishin synuar ta vendosnin ish-anëtarin e stafit të KGB-së si president të Këshillit të Europës, në vitin 2008.
Shkurtimisht, Këshilli i Europës nuk është ndonjë tubim pa interes i parlamentarëve të Amnesty International apo të Human Rights Watch, por është thellësisht trupë e politizuar konfliktuale, ku shtetet mobilizohen për promovimin e mbështetjes për çështjet e tyre aktuale.
Prioriteti kryesor për Kremlinin ishte që ta maksimalizojë mbështetjen për qëndrimin anti-SHBA dhe anti-NATO në Këshillin e Europës. Rusia ka synuar kultivimin e aleatëve për ta mbrojtur Serbinë dhe shtetet e tjera sllavo-ortodokse nga kritikat.
Përpjekjet nga socialdemokratët e qendrës, nga Suedia për promovimin e pajtimit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, janë kundërshtuar.

Gjëra të tmerrshme ishin bërë nga ushtarët serbë dhe paramilitarët në Kosovë, pasi diplomacia e fuqishme e Richard Holbrooke-ut në Dayton, para 15 vjetësh, i ndali pasionet nacionaliste serbe të Milosheviçit për më tutje, në veri.
Fshatrat që kamë vizituar në Kosovë dhe varrezat myslimane kanë shumë gurrë varresh me njerëzit e lindur në data të ndryshme, por të gjithë, janë vrarë në të njëjtën ditë, kur skuadrat serbe të ekzekutimit ishin të tërbuar.
Gjëra të tmerrshme ishin bërë derisa disa kosovarë kaluan nga rezistenca paqësore dhe pasive prej dy dekadash, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, në një rezistencë të armatosur, të shkurtër, por agresive; 15-18 mujore, përfshirë edhe vrasje dhe trajtim brutal të bashkëpunëtorëve të regjimit, në stilin e rezistencës franceze të vitit 1944.

Në vend që të synohet paqe dhe pajtim, kanë ekzistuar përpjekje të vazhdueshme nga akset serbo-ruse në Këshillin e Europës për të pretenduar se Kosova është provincë kriminale separatiste e Beogradit, që një ditë do të kthehet nën pushtetin serb.
Diskreditimi i liderëve të ndryshëm kosovarë, - të cilët, pothuajse të gjithë, në një mënyrë ose tjetër, morën pjesë në betejën rezistuese kundër Millosheviçit, që përfundoi me ndërhyrjen e Tony Blair dhe Bill Clinton (të NATO-s), në verë të vitit 1999, - ishte prioriteti kryesorë për serbët dhe rusët.

Zoti Marty, së bashku me të tjerët, me qëndrim armiqësor ndaj Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Europës, asnjëherë nuk e ka fshehur kundërshtimin e tij ndaj pavarësisë së Kosovës. Ai i ka kundërshtuar thirrjet që Kosovës t’i jepet status i anëtarit ose i vëzhguesit në Këshillin e Europës.
Senatori Marty është një individ dhe sinqeriteti i tij nuk vihet në pikëpyetje. Ai beson në atë që beson. Por, duke e lexuar raportin e tij me 19 mijë fjalë, paraqitet një problem. Atje nuk ekziston as një emër i vetëm apo një dëshmitar që të sjellë fakte për akuzat se Thaçi ishte i përfshirë në trafikim të organeve njerëzore të viktimat e vrara.

Senatori Marty i bën të gjitha për ta nxirë emrin e Thaçit, duke e akuzuar atë se është pak më tepër se kriminel, sepse e ka shfrytëzuar krizën në Kosovë për krijimin e operacionit të stilit mafioz; se këto praktika të padëshiruara kanë ndodhur dhe do të ndodhin çdokund në botë, nuk ka dyshim. Por, zoti Marty ka dështuar ta kapë Thaçin direkt me trafikun e organeve, megjithëse titulli shokues: “Trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”, ishte parashikuar për t’i maksimalizuar titujt.

Autori është anëtar i Parlamentit në Britani dhe ish-Ministër për Europën. Në vitet 2004-2010 ka qenë përfaqësues i Britanisë së Madhe në Këshillin e Europës)

27 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›