Bajerni i Munihut merr shqiptarin 16-vjeçar
Një talent 16-vjeçar shqiptar te Bajerni i Munihut. Rekordmenët e Gjermanisë, njëherësh edhe klubi më i rëndësishëm në Bundesligën gjermane huazoi asin shqiptar që luan për skuadrën austriake Kapfneberg. Lajmin e bujshëm e dha tabloidi gjerman “Bild”, që i kushtoi një shkrim të posaçëm djaloshit të talentuar, por është zyrtarizuar edhe nga klubi austriak. Kosovari Ylli Sallahi u huazua mbi bazën e një kontrate që shtrin efektin e saj deri në vitin 2012, me opsionin e blerjes së plotë të kartonit në rast se futbollisti i ri do të rezultojë efikas. Sallahi luan në mesfushën ofensive dhe ishte i kërkuar nga klubet më të mëdha të Europës. Sallahi kaloi me sukses provën e tij njëjavore te Bajerni, përpara se bavarezët të merrnin vendimin përfundimtar se ja vlente të investonin për të. Fillimisht Sallahi do ta nisë aventurën e tij me Bajernin e moshës U-19. Bajerni është i interesuar gjithashtu për të siguruar shërbimet e mesfushorit kosovar të Bazelit të Zvicrës, Xherdan Shaqiri. Sipas faqes zyrtare të klubit të Kapfenebergut, me të cilin Sallahi luajti për katër vjet, qysh nga mosha 12-vjeçare, Ylli ka për idhull mesfushorin francez Frenk Riberi.
"L’Equipe" publikon formacionin ideal
Futbollistët spanjollë dominuan formacionin ideal të vitit 2010, publikuar gjatë mesditës prej të përditshmes franceze “L’Equipe”. Iker Casillas, portier i Realit të Madridit dhe kapiteni i Spanjës kampione të botës la pas interistin Julio Sezar. Iker renditet për të tretin vit radhazi në formacionin e ëndrrave. Mbrotja formohej prej Koentraoros së Benfikës, Lucio e Maaikon të Interit dhe Pike i Barcelonës. Ky i fundit u çmua më shumë se Pujoli për kontributin e tij në mbrojtje, ndërsa surpriza e vërtetë ishte mbrojtësi i majtë i kombëtares portugeze. Mesfusha e formuar prej pesë futbollistësh përbëhej nga treshja e Barçës, Busquets, Iniesta e Xavi, plus Shëainstaiger i Bayern dhe Sneijder i Interit. Për këtë të fundit, në argumentim ironizohej me vendimin e Realit të Madridit për ta shitur. Përsa i përket sulmit në formacionin ideal, ishte Mesi i përzgjedhuri. Për argjentinasin, gazeta shkruante se nuk ka nevojë për një partner të dytë, pasi është i aftë t’i bëjë të gjitha vetëm.
Iniesta: “Dua të bëhem trajneri i Barcelonës”
Viti 2010 ishte i jashtëzakonshëm për Andres Iniestën. Pas fitimit të Kampionatiti Botëror në Afrikën e Jugut (hera e parë për Spanjën), mesfushori i Barcelonës konkurron edhe për titulli e lojtarit më të mirë në planet, “Topi i artë – FIFA”. Në garë me të janë dhe dy lojtarët e tjerë katalanas, spanjolli Kxavi Hernandez dhe argjentinasi Lionel Mesi. 26-vjeçari Iniesta zbuloi se pas përfundimit të karrierës së tij si futbollist do të nisë atë si trajner, po te Barcelona. Një synim që ai dëshiron ta plotësojë pas pak vitesh. “Dua të vazhdoj me futbollin. Kjo është jeta ime. Do të doja të qëndroja në klub, për të punuar këtu si trajner në çdo kategori, ose edhe te ekipi i parë. Nuk dua të shkoj askund tjetër”, - tha Iniesta për “Barca TV” dhe të botuar në gazetën spanjolle “Marca”. Iniesta shënoi golin në finalen e Botërorit kundër Holandsës e që i dha Spanjës fitoren e Kupës së Botës. “Një gol si ai në finalen kundër Holandës mund të të ndryshojë jetën tuaj, por jo personalitetin tuaj. Unë vazhdimisht punoj në të njëjtën mënyrë”, - tha mesfushori i Barcelonës. Momenti i tij kulmor, sipas Iniestës, është goli i tij në gjysmëfinalen kundër Çelsit në Ligën e Kampioneve në vitin 209 e që i hapi rrugën për fitimin e trofeut ndaj Mançesterit në Romë.
Superliga, gjashtë ekipe shkarkuan trajnerët
I fundit është Krenar Alimehmeti, i shkarkuar nga Elbasani
Dy skuadra, Besa dhe Shkumbini, drejtohen nga teknikët e tretë
Odiseja e shkarkimit të trajnerëve të Superligës gjatë vitit 2010 u mbyll me largimin e Krenar Alimehmetit nga Elbasani i vendit të fundit. Një shkarkim apo më saktë një vetëlargim i trajnerin tiranas parë dhe situatën financiare që kaloi klubi elbasanas. Në fakt, verdheblutë rezultuan si skuadra më e dobët e 16 javëve të para, duke grumbulluar 12 pikë, por që gjenden në fundin e tabelës me 9 të tilla, pas 3 pikëve të hequra me një vendim të FIFA-s për shkak të mospagesës së lojtarit Darko Periç. Alimehmeti, i cili e kishte drejtuar edhe njëherë tjetër Elbasanin, është trajneri i shtatë që shkarkohet në këtë pjesë të parë të sezonit. Elbasani bëhet kështu ekipi i gjashtë i Superligës që hyn në valsin e shkarkimit apo vetëlargimit të trajnerëve, pas atyre të Shkumbinit (ku deri tani kanë drejtuar 3 trajnerë: Mirel Josa, Agim Canaj dhe aktualisht Përparim Daiu); Besës (3; Shpëtim Duro, Përparim Daiu dhe Gerti Haxhiu); Bylisit (2: Ilir Spahiu dhe Nikola Ilievski); Tiranës (2, Sulejman Starova dhe Nevil Dede); Vllaznisë (Mojash Radonjiçit dhe Mirel Josës). Në largim e sipër – pritet vetëm zyrtarizimi – është dhe trajneri argjentinas i Dinamos, Luis Manuel Blanko, i cili do të drejtojë blutë në dy ndeshjet e fundit, ato kundër Shkumbinit dhe Vllaznisë, për të mos u kthyer më në Shqipëri. Në sezonin aktual, valsi i famshëm i lëvizjes së bankinave nisi me shkarkimin e Mirel Josës nga Shkumbini në javën e 2-të (u zëvendësua nga Agim Canajt), për t’u pasuar me Ilir Spahiun e Bylisit (u zëvendësua nga Nikola Ilievski). Shpëtim Duro u largua nga Besa në javën e 4-t (i pasuar nga Përparim Daiu), ndërsa Sulejman Starova u shkarkua në javën e 6-të (i zëvendësuar nga Nevil Dede). Shkarkimit nuk i shpëtoi dhe një trajneri i huaj, malaziasi Mojash Radonjiç i Vllaznisë u zëvendësua nga Mirel Josa, ky i fundit e nisi sezonin te Shkumbini. Seriali i shkarkimit të trajnerëve vazhdoi me Përparim Daiun, i cili la vendin Gerti Haxhiut, njeriut që drejton Besën nga java e 11-të. Përparim Daiu zëvendësoi në javën e 14-të te Shkumbini ish-trajnerin Agim Canaj, që dha dorëheqjen pas 11 javëve në drejtimin e skuadrës peqinase, vetëlargim i motivuar nga ikja e ish-presidentit Ylli Ndroqi.
I fundit është Krenar Alimehmeti, i shkarkuar nga Elbasani, pas humbjes 1-0 ndaj Skënderbeut në Korçë, takim i vlefshëm për javën e 16-të. Pasues të tij të mundshëm shihen boshnjaku Esad Karishik (ish-trajneri i Apolonisë) dhe Agustin Kola (ish-trajneri i Tiranës dhe Kamzës). Gjithsesi, dorëheqje publike ka dhënë dhe Stavri Nica i Laçit, por që nuk u pranua nga presidenti Pashk Laskaj. Të njëjtën gjë bëri edhe Ramazan Ndreu i Kastriotit, por dhe trajneri krutan u votëbesua nga presidenti Artan Djala. Në fakt, për të drejtuar një ndeshje futbolli në bankinë janë ulur dhe Agim Meto i Bylisit (java e 4-t), kur zyrtarisht trajner i emëruar ishte maqedonasi Nikola Ilievski, por dhe Artan Mërgjyshi i Dinamos, i cili ka zëvendësuar për dy javë (9 dhe 10) në stolin blu argjentinasin e pezulluar, Luis Manuel Blanko. Në bankinë së fundi u ul dhe ndihmëstrajneri i Tiranës, Alpin Gallo (java 15 dhe 16), ky u fundit zëvendësoi trajnerin Nevil Dede (të pezulluar për dy javë).
SUPERLIGA 2010-2011
LËVIZJET E TRAJNERËVE
Shkumbini: Mirel Josa (nga java 1-2), Agim Canaj (nga java 3-14). Përparim Daiu (nga java 15)
Bylisi: Ilir Spahiu (nga java 1-3), Agim Meto (java e 4-t), Nikola Ilievski (nga java 5-të).
Besa: Shpëtim Duro (nga java 1-4), Përparim Daiu (nga java 5-10), Gert Haxhiu (nga java e 11-të)
Tirana: Sulejman Starova (nga java 1-6), Nevil Dede (nga java e 7-të).
Vllaznia: Mojash Radonjiç (nga java 1-8), Mirel Josa (nga java e 9-të).
Elbasani: Krenar Alimehmeti (nga java 1-16)
BANKINAT AKTUALE
Dinamo Luis Manuel Blanko (argjentinas)
Flamurtari Gugash Magani
Skënderbeu Shkëlqim Muça
Tirana Nevil Dede
Shkumbini Përparim Daiu
Vllaznia Mirel Josa
Teuta Edi Martini
Laçi Stavri Nica
Besa Gert Haxhiu
Kastrioti Ramazan Ndreu
Bylis Nikola Ilievski (maqedonas)
Elbasani ......
15 trajnerë në epokën e Moratit
Leonardo, trajneri i ri i Interit, është i 15-ti në epokën e Masimo Moratit si president i zikaltërve, duke filluar nga Bianki, Suarez, Hodgson, Kastellini, Simoni, Luçescu, Lipi, Tardelli, Kuper, Verdeli, Zakeroni, Mançini, Morinjo dhe Benitez. Spanjolli Rafa Benitez u shkarkua pas vetëm gjashtë muajsh në drejtimin e Interit, edhe pse ai fitoi Superkupën e Italisë dhe së fundi Botërorin e Klubeve, trofeu i pestë i zikaltërve si pjesë e paketës së sezonit 2009-2010. I identifikuar me Milanin, ku punoi për 12 vjet – katër si lojtar, shtatë si drejtues dhe një si teknik, Leonardo tashmë është trajneri i ri i Interit, rivalit të përjetshëm të kuqezinjve të kryeministrit Silvio Berluskoni. Braziliani 41-vjeçar nënshkroi një kontratë që skadon, më 30 qershor të vitit 2012. Trajneri do të marrë një pagë vjetore prej 2.5 milionë eurosh. Interi është kampioni i Italisë, i Europës dhë së fundi edhe i Botës.
Milito-Murinjo, më të mirët në Itali
Diego Milito dhe Hoze Murinjo u përzgjodhën si lojtari dhe trajneri më i mirë i Italisë për vitin 2010. Ky ishte përfundimi i një votimi i të realizuar me lojtarët që luajnë në kampionatin italian. Sipas agjencisë “Ansa”, çmimet do të jepen më 24 janar. Milito vazhdon të japë kontributin e tij te Interi, ndërkohë që Murinjo tani është trajneri i Realit të Madridit. Murinjo është në garë edhe për trajnerin më të mirë të vitit, çmim i organizuar nga FIFA.
Murinjo: “Interi, më i miri në botë”
“Dajaku” i Barcelonës në fitoren 5-0 kundër Realit të Madridit, është ajo që i dhemb më tepër trajnerit Hoze Murinjo, madje ndonjëherë ajo humbje lë në hije dhe fitimin e Ligës së Kampioneve me Interin. Gjatë një interviste për gazetën portugeze “Rekord”, Murinjo bëri disa vlerësime për vitin 2010. Për Kristiano Ronaldon, Murinjo tha se ai “tejkaloi atë që prisja prej tij”. Për Murinjon, ekipi më i mirë në botës është Interi. Arsyeja? “Sapo fitoi Kupën e Botës”.
Venger: “S’ka vend te Arsenali për Bekhamin”
Edhe pse trajneri Arsen Venger është një admirues i Dejvid Bekhamit, francezi nuk mendon se “Spice boy” ka vend në skuadrën e Arsenalit. Sipas tij, “Topçinjtë” kanë shumë lojtarë në rolin që luan lojtari i Los Anxheles Galaksi. “Sigurisht, unë do të doja ta merrja Bekhamin, por ai luan në një sektor ku ne nuk kemi nevojë për lojtarë, - tha Venger. – Ne kemi tashmë Uallkotin, Nasrinë, Roziçkin, Arshavinin, Velan dhe Ebouenë”. Gjithsesi, pak ditë parë Bekhami shprehu dëshiron se kërkon të luajë sërish në Europë pas eksperiencave me Milanin.
Ronaldinjo, pranë Gremios në Brazil
Ndërsa Ronaldinjo është duke festuar në “Planet Music Hall”, lokal në Porto Alegre, e që i përket familjes së tij, presidenti i Gremios, Paolo Odone, ritheksoi se numri 80 i Milanit do të rikthehet në klubin që e bëri të njohur. “Kjo do të jetë një dhuratë festash për tifozët tanë”, - u shpreh ai. I intervistuar nga televizioni Bandeirantes në Porto Alegre, Odone nënvizoi faktin se tashmë është arritur edhe marrëveshja. “Jemi duke formuar një partneritet me Ronaldinjon. Kur ai fiton, fiton dhe Gremio, dhe anasjelltas. Kemi shumë sponsor të interesuar, një prodhues linjash të prodhimeve për Ronaldinjon”. Ronaldinjo është duke i kërkuar vëllait të tij menaxher të shpejtojë tratativat për një rikthim në shtëpi, në Brazil.
27 Dhjetor 2010