Akuzat për inceneratorin e Tiranës, Monika Kryemadhi thërritet sot në SPAK

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi pritet të paraqitet këtë të martë (31 janar) në SPAK lidhur me akuzat e artikuluara prej saj për inceneratorin e Tiranës.
Deputetja Kryemadhi, akuzoi më 20 janar se në venddepozitimin e vjetër të Sharrës po groposen mbetje, dhe kjo gjë, sipas saj, përbën vepër penale. Deputetja bëri publike në media dhe një video, ku shiheshin mbetjet tek derdheshin dhe groposeshin në Sharrë. Në akuzat e saj, Kryemadhi u shpreh se Kryebashkiaku Veliaj ka paguar 54 milionë dollarë për kompaninë, pronarët e të cilës janë në kërkim.
“Në orën 21:20 të ditës së djeshme kamionët me mbetje peshohen dhe depozitohen në Sharrë i cili është rihapur në nëntor të 2022-shit. Kjo arrogancë e pashoqë e Ramës dhe Veliajt kalon çdo lloj limiti të moralit politik e njerëzor. Vetëm Bashkia e Tiranës ka paguar deri në nëntor 54 mln USD pa llogaritur proceset e tjera të administrimit të mbetjeve”, ka thënë Kryemadhi.
/rtsh.al/