E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Akuzat për pagesën e 700 mijë $ nga kompani offshore, Meta: Mashtrim, padi ndaj gazetës austriake

Ilir Meta ka ngritur padi ndaj gazetës austriake “Kronen Zeitung”, e cili publikoi një shkrim ku akuzonte presidentin se ka paguar 700 mijë dollarë, përmes kompanive offshore, për të bërë një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit amerikan Donald Trump. Meta tha se këto akuza janë mashtrime që vijnë nga një shkrim pa emër.

Meta sqaron se në atë ceremoni ka qenë si kryetar i parlamentit pasi nuk ishte zgjedhur president, ndërsa ironizon median austriake se mbase u është dukur Petrit Vasili si Donald Trump, i cili e shoqëronte në ceremoninë e inaugurimit.

“Shkrim pa emër për presidentin e një vendi, është vetëm një ripërtypje në publik e disa shpifjeve dhe mashtrimeve të bëra nga “Father Jones” (i referohet me ironi Mother Jones). Është mashtrim pasi unë kam marr pjesë si kryetar i parlamentit së bashku me Petrit Vasilin me ftesë të tyre dhe nuk kemi asnjë lidhje me atë mashtrim. Sipas tyre unë paskam qenë atje dhe kam paguar 700 mijë dollarë për t’u fotografuar me Trump. Nëse Vasili iu duket si Tramp atëherë…. Pse do bëja unë foto me presidentin kur nuk isha as president? Për ca më duhej mua kjo gjë? Unë këto foto i kam bërë që 30 vjeç, me Clinton e Bush. Kemi njoftuar se do të greme padi për gazetën, po të mos isha president nuk do i padisja pasi shpifje të tilla ndodhin kudo”, tha Meta.

I pyetur për bashkëpunimin me Ramën pas 24 korrikut kur i mbaron dhe detyra e presidentit, Meta tha se ai është i hapur të bashkëpunojë me këdo që respekton sovranitetin e vendit dhe shqiptarëve, ndërsa tha se kushti i tij i vetëm është që ndryshimet kushtetuese të bëhen me referendum.

“Kam qenë dhe jam në shërbim të popullit. Çdo raport që kam pasur në të kaluarën ka qenë e hapur dhe në shërbim të integrimit të Shqipërisë, krijova një forcë për të zhbllokuar integrimin e Shqipërisë që mbahej peng nga PS. Nga 25 korriku prioritet i parë është sovraniteti. Kush do të punojë për sovranitetin në kuadër të plotësimit të detyrimeve që kemi në NATO apo detyrimeve që do të vijën nga integrimi, unë do të bashkëpunoj në mënyrë të hapur dhe të sinqertë, aman vetëm me kushtin  që Kushtetuta ndryshohet vetëm me referendum”, tha Meta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›