E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“SPAK të hetojë Metën”. Presidenti reagon pas thirrjes së Ramës: I gatshëm të përballem me fakte dhe prova

Presidenti Ilir Meta gjatë një konference për media ka reaguar ndaj thirrjes që Kryeministri Edi Rama i bëri SPAK për hetimin e tij. Meta deklaron se nuk i frikësohet SPAK dhe është i gatshëm të përballet me drejtësinë me fakte dhe prova.

Ndër të tjera, kreu i shtetit paralajmëroi Kryeministrin Edi Rama se pas 24 korrikut, kohë kur përfundon mandatin presidencial, do i shkojë gjërave deri në fund dhe se askush nuk mund ta frenojë. Meta akuzon Ramën se e ka kapur drejtësinë për fyti. Ndërkaq, ai thotë se ka në dorë armët më të forta, që për të, janë e vërteta dhe transparenca.

“Shqipëria e pret Ilir Metën, ajo pjesë e Shqipërisë që i rreh zemra për interesin kombëtar, i cili gjithashtu sipas marrëveshjes së 5 viteve më parë është cënuar si asnjëherë tjetër. Ajo që shqiptarët presin është një lidershqip që mban fjalën. Pse ka frikë një kryeministër nga drejtësia e vet që e ka kapur për fyti? I bën thirrje SPAK të hetojë Ilir Metën? Pa asnjë diskutim. Shumë mirë bën. Madje të coj dhe pyetjet bashkë me Agaçin. Unë kam armët më të forta, e vërteta dhe transparenca. Nuk i shmangem drejtësisë, as në ‘92 kur më hoqën imunitetin, dhe në asnjë lloj të drejtësive të tjera.

E siguroj zotërinë se mbas 24 korrikut është e sigurt që Ilir Metadhe gjithë shqiptarët do shkojnë te SPAK, para gjykatave, me fakte dhe prova, për gjithë mullarët e korrupsionit që lartësohen çdo ditë. I bën të gjitha këto që të mos hetojnë grupin kriminal që heton Shqipërinë. Do frenoj Ilirin me këto lloj përrallash dhe mashtrimesh? Ai e njeh Ilin më mirë nga të gjithë dhe e di se do i shkoj gjërave deri në fund për ato që iu ka bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Meta duke shtuar se nga 25 korriku, ‘pesimizmi’ do jetë kohë e humbur për çdo shqiptar. Ai tha se në 25 korrik, fillon një kapitull të ri me energji të pashtershme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›