Presidenti i ri, Salianji: Rama na do për garniturë, opozita të ulet në tryezë diskutimi

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka reaguar në rrjetin social Facebook lidhur me procesin për zgjedhjen e Presidentit të ri. Teksa Konferenca e Kryetarëve vendosi datën 23 maj për mbajtjen e raundit të dytë të Presidentit të ri, mbledhje e cila u zhvillua me debate mes opozitës dhe mazhorancës, Salianji shkruan se ‘farsa’ e Ramës po nxjerr në pah dëmet e mëdha që po i shkaktohen demokracisë në Shqipëri. Në procesin për zgjedhjen e presidentit të ri, Salianji shkruan se Kryeministri Rama po përdor opozitën si garniturë. Deputeti vë theksin te një opozitë e bashkuar, duke bërë thirrje që të ulen në tryezë diskutimi. Më tej ai ndalet dhe te Reforma Territoriale dhe reforma zgjedhore, duke shtruar pyetjen se përse opozita ende nuk po dërgon emra, ndërkohë që dy komisioneve të Posaçme për reformat po u vjen fundi i afatit.
“Pjesëmarrja pa busull në farsën e Ramës për president çdo ditë e më shumë po nxjerr në pah dëmet e medha që po i shkaktohen opozitës dhe padiskutim demokracisë në vend! Siç dhe i interesonte Ramës ky proçes e mban fokusin e opinionit tek telenovela e presidentit, zhvendos fokusin nga rritja stratosferike e çmimeve, abuzimet e përditshme të qeverisë, rritja e taksave, gjobat ndaj biznesit, goditjet ndaj bujqësisë, monopolet oligarkike! Tema që nuk po diskutohen në publik sepse kurthit të Ramës i ranë pas me nxitim dhe pa shumicën e grupit parlamentar të PDSh. Ky proçes zbardhi dhe më shumë atë që dihej, autokrati nuk lëshon asgjë, do vetem për garniturë opozitën duke bërë sikur bën lëshime të mëdha të tipit e shtyjme nga 5 ditë në 7 datën e raundit.
Për fat të keq Rama me lojën e tij tërhoqi njē pjesë të opozitës që megjithëse pakicë, për protagonizma dëmtoi rëndë opozitën duke krijuar idenë e frangmentarizimit të mëtejshēm të saj dhe duke mos bërē asnjë përpjekje për atë që PDSh e ka emergjence, çdo përpjekje dhe tentativa të pafundme për tu bashkuar! Ky është një rast ku gjithë opozita duhet të ulet në një tryezë diskutimi! E meqë ra fjala dy komisioneve të posaçme për reformën territorriale dhe reformën zgjedhore po ju vjen fundi i afatit dhe ende nuk dimë gjē pse opozita nuk po dërgon emrat?”, shkruan Salianji.
/rtsh.al/