Suedia do aplikojë për anëtarësim në NATO, ambasadorja Hastad: Shqipëria na mbështet në këtë proces

Shqipëria mbështet anëtarësimin e Suedisë në NATO. Këtë bëri të ditur ambasadorja e Suedisë në Tiranë Elsa Hastad, e cila tha se ka marrë mbështetjen nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka për integrimin e vendit të saj në NATO, që i trembet një kërcënimi të mundshëm rus. Hastad tha se Suedia po pret edhe nënshkrimin nga Finlanda që të dyja vendet të dorëzojnë së bashku kërkesën në NATO.
“Ne do të jemi një anëtar i besueshëm në të cilën vendet e tjera mund të mbështeten dhe ndihmohen. Ky ndryshim në politikën tonë të jashtme është më i madhi. Së bashku me fqinjën tonë, Finlandën do të ecim në adresimin në NATO. Ambasadori i Suedisë do të dorëzojë aplikimin në ditët në vijim. Ne po presim për Finlandën që të bëjmë aplikimin njëherësh. Duhet të presin ratifikimin nga strukturat e NATO-s. Dje u takova me kryeministrin Edi Rama dhe kam qenë në kontakt me ministren e Jashtme, Olta Xhackën, të dy më kanë garantuar mbështetjen e tyre në këtë proces. Kjo është ditë historike jo vetëm për Suedinë, por edhe NATO-n”, tha Hastad.
Në një kohë kur Ukrainë po përjeton masakrat ndaj civilëve nga forcat ruse, Hastad tha se 48% e suedesëve e mbështesin anëtarësimin në NATO dhe nisma mori mbështetje të gjerë edhe në parlament.
“Suedia është e përgatitur për gjithçka. Ajo që presim më tepër në çështjen e sulmeve, janë më tepër sulme kibernetike apo të dezinformimit, me qëllim destabilizimin e Suedisë”, tha ambasadorja.
Mbështetjen për anëtarësimin në NATO, ambasadorja tha se Suedia ‘ia ka shpërblyer’ Shqipërisë në mbështetjen e vendit në rrugën e integrimit në BE.
“Po e ndihmojmë shumë Shqipërinë. Suedia prej 20 vitesh e ka ndihmuar Shqipërinë që të bëhet anëtare e BE-së. Po ashtu, asistojmë me fonde. Mendoj që ndihma jonë është e rëndësishme dhe do të vijojmë me këtë mbështetje.”
Më herët ministrja e Jashtme e Suedisë Ann Linde ka nënshkruar aplikimin për anëtarësimin e vendit në NATO.
/rtsh.al/