E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzë me ZË

EULEX’i ka ngritur aktakuzë ndaj Shyqyri Haxhës, Rexhë Gjonbalajt, Ismet Bojkut, Shkëlqim dhe Blerim Devollit. Prokuroria Speciale dyshon se zyrtarët e lartë të PTK’së dhe ata të Kompanisë “Devolli Group” janë përfshirë në shpërdorim të detyrës zyrtare dhe krim të organizuar në lidhje me kontratën PTK-Z Mobile. Nga Nexhmije Ahmeti më 09 qershor 2011 në ora 07:53

Shyqyri Haxha nuk do të mund të rrijë gjatë në Britaninë e Madhe, pasi që shumë punë e presin në Prishtinë.

Teksa kryeshefi Ekzekutiv i PTK’së po qëndron në Ishull, një akuzë ndaj tij dhe katër personave të tjerë është ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Përveç Shyqyri Haxhës, si të pandehur në këtë aktakuzë janë edhe Rexhë Gjonbalaj, kryesues i Bordit të drejtorëve të PTK’së, Ismet Bojku, përfaqësues ligjor i Dardafon dhe Dardafon.net, si dhe Shkëlqim dhe Blerim Devolli, pronarë të kompanive private që i përkasin kompanisë “DEVOLLI GROUP”.

Ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës e konfirmoi për Express, zëdhënësi i EULEX’it, Blerim Krasniqi.

Sipas tij, aktakuza kundër pesë të pandehurve është ngritur në kontekstin e një hetimi në lidhje me marrëveshjen për operatorin e Rrjetit Mobil Virtual (ORRMV) në mes të PTK’së dhe Dardafonit dhe transferimin e mëvonshëm të licencës për Dardafon.net në vitin 2008 dhe 2009.

Zëdhënësi Krasniqi tha se tash, sipas procedurave, pritet që gjykatësi i Procedurës Paraprake të shikojë aktakuzën dhe pastaj të merret një vendim për konfirmim ose jo të saj.

Në bazë të aktakuzës, Shyqyri Haxha dhe Rexhë Gjonbalaj akuzohen për lidhje të kontratave të dëmshme, shpërdorim i pozitës zyrtare dhe keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi. Ndërkaq, akuzat kundër Blerim Devollit, Shkëlqim Devollit dhe Ismet Bojkut janë mashtrim, lidhja e kontratave të dëmshme, keqpërdorim i besimit, falsifikimi i dokumenteve, rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve dhe krim të organizuar.
Ndërkohë që Shyqyri Haxha gjendet jashtë vendit, në PTK deklarojnë se nuk dinë asgjë rreth kësaj.

Expressi ka provuar të kontaktojë me Haxhën, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Ndërkaq, kryesuesi i Bordit të drejtorëve në PTK, Rexhë Gjonbalaj thotë se të mos ketë dëgjuar asgjë në lidhje me këtë.

“Unë nuk di asgjë në lidhje me këtë aktakuzë. Krejt çka di është ajo çka kam lexuar nëpër media. Asgjë zyrtare nuk kam”, tha Gjonbalaj, për Express.
Ai madje çuditet nga ato që ka lexuar në agjenci të lajmeve.

PTK’ja “befasohet”
Të “befasuar” janë edhe në PTK.

Një orë pas bërjes publike të lajmit për ngritjen e aktakuzës, Zyra për komunikim e PTK’së ka lëshuar një komunikatë për media, me të cilën njoftojnë opinionin se asgjë zyrtare deri më tani as PTK’ja si institucion, e as zyrtarët e saj nuk kanë pranuar në lidhje me ngritjen e aktakuzës.

“Duke marrë për bazë parimin themelor të drejtësisë “prezumimin e pafajësisë” si parim universal i së drejtës, i paraparë në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës dhe Konventave Ndërkombëtare, njoftojmë opinionin publik se përderisa secili është i pafajshëm derisa nuk është gjykuar me aktgjykim të plotfuqishëm, zyrtarët e PTK’së do të vazhdojnë të ushtrojnë detyrat e veta, konform ligjit dhe rregulloreve të PTK”, thuhet në komunikatën për media të PTK’së.

PTK’ja, siç thuhet në komunikatë, ka bashkëpunuar plotësisht me organet e zbatimit të ligjit, duke përfshirë edhe EULEX’in në të gjitha çështjet dhe projektet që janë interesuar ata.

“PTK’ja dhe zyrtarët e saj, edhe në këtë rast do të jenë në gjendje gatishmërie për të dhënë të gjithë kontributin në çdo proces dhe procedurë ligjore të kërkuar nga organet e zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën zyrtare të PTK-së.

Hetimet
Hetimet ndaj Shyqyri Haxhës dhe të tjerëve kanë filluar para një viti e që ka rezultuar me bastisje në korrik të vitit të kaluar.

Në atë kohë, EULEX’i ka kryer bastisje në tetë lokacione në Prishtinë dhe Pejë.

Cak i bastisjeve ishin PTK’ja, zyrat e “DardaPhone”, kompania “Devolli Group”, zyrat e Z Mobile, banesa e Shyqyri Haxhës si dhe shtëpia e pronarit të kompanisë “Devolli”, Shkëlqim Devolli.

Gjatë bastisjes, zyrtarë të EULEX’it kanë marrë informacione në lidhje me një kontratë mbi bartjen e një licence në mes të PTK’së dhe DardafonNet.

Zyrtarë të EULEX’it dyshojnë se kjo kontratë është bërë në mënyrë të kundërligjshme. Po ashtu, hetimet ndaj këtyre personave janë bërë edhe në lidhje me Z Mobile dhe Universitetin e Kentit në Angli.

Në këtë universitet, Haxha ka qenë mësimdhënës, ndërsa ka paguar qindra mijëra euro për t’i trajnuar punonjësit e PTK’së në atë universitet.

Në atë kohë, Kryeshefi i PTK’së kishte deklaruar se dyshimet që ka EULEX’i kanë të bëjnë me menaxhmentin e kaluar, ndërkohë që ka pranuar se kontratën me Z Mobile e ka nënshkruar vetë e që është aprovuar nga Bordi i drejtorëve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›