U digjet tenda
Familja Ibrahimi, nga komuniteti ashkali, nga e diela ka mbetur pa strehë. Kjo familje që ka jetuar në një tendë në fshatin Plemetin të Obiliqit, tash ka mbetur në qiell të hapur dhe pa asgjë para shpirtit. Edhe një tendë që kishin e us hërbente si shtëpi, është djegur e tëra. Avni Ibrahimi me tetë anëtarët e familjes tash jetojnë në oborr pasi nuk u ka mbetur asgjë. Flaka që ka dalë i ka përpirë shumë shpejt të gjitha gjërat që i kishin brenda.
Avniu tregon se gjatë darkës, derisa ishte duke e falur namazin e mbrëmjes, e ka parë se tendës i ka dalë flaka. Ky njeri krahas dhimbjes që ka që ka mbetur jashtë, së paku është i lumtur se kanë shpëtuar të gjtihë anëtarët e familes. E vetmja orendi që ka shpëtuar nga zjarri është një televizor. “Edhe mielli që kam pasur për fëmijë më është djegur”, tregon Avniu për Express. Sipas tij, besohet se shkaktar i zjarrit ishte ndezja e shporetit me të cilin e zonja e shtëpisë ishte duke përgatitur ushqim për familjen.
Në fakt familja Ibrahimi deri tani ka jetuar në banesë e cila ishte ndërtuar nga Qeveria. Por sipas tij, ata e kanë lëshuar atë për shkak se “ka qenë në gjendje të mjerueshme dhe ka qenë rrezik që të jetohet aty”. “Ka qenë rrezik që të jetohet aty, rryma nuk është në rregull e edhe oxhaku ka qenë i keq. Na ka mytë tymi sa kemi qenë aty”, thotë ai.
Ky banor ankohet se asnjë zyrtar i komunës së Obiliqit nuk e ka vizituar deri më tani. “Askush nuk ka qenë për të më ofruar ndonjë ndihmë për ushqim apo strehim”, thotë tejet i shqetësuar ai.
I shqetësuar për fatin e fqinjit të tij shprehet edhe Bajrush Berisha. Ky përfaqësues i komunitetit ashkali të Plemetinit madje paraljamëron edhe grevë të banorëve para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. “Nëse askush nuk ndërrmerr hapa për ta ndihmuar fqinjin tonë ne do t’i vendosim tendat para Qeverisë”, tha Bajrush Berisha për Express. Ai paralajmëroi se greva do të fillojë brenda dy-tri javëve dhe nuk do të ndërpritet derisa Qeveria nuk ndërrmerr hapa për t’i plotësuar të drejtat e banorëve ashkali. Banorët ashkali, sipas Berishës, kërkojnë që secili ta ketë shtëpinë e tyre dhe të trajtohen si të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
“Mos të kemi dallime vetëm se jemi ashkali”, tha Berisha. Ai bëri të ditur se janë 38 familje të cilat kanë vendosur që mos të kthehen në banesat që janë ndërtuar me arsyetimin se janë të rrezikshme që të jetosh aty.
“Janë të rregulluar në mënyrë të tmerrshme dhe të rrezikshme për jetesë”, tha Berisha. Sipas tij, prej se janë vendosur në ato banesa asnjëherë nuk janë rehatuar në to sespe kanë pasur probleme me rrymë dhe me ujë. Ai drejtoi akuza tek të gjithë ën Kosovë sepse siq shprehet ai “askush nuk po tregon interesim për ta dhe problemet e tyre me të cilat ballafaqohen cdo ditë”. “Edhe ne jemi Kosovë”, tha Berisha. Në Plemetin jetojnë shumë familje rome dhe ashkali për të cilët Qeveria e Kosovës ka ndërtuar banesa kolektive. Deri në vitin 2007, ata kanë jetuar nëpër baraka dhe në kushte të rënda ekonomike.