Duhani dëmton Naimin

Për marifete që kanë bërë me duhan, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë edhe për dy zyrtarë të lartë të Doganave të Kosovës.
Naim Huruglica, drejtor gjeneral i Doganave të Kosovës dhe Lulëzim Rafuna, udhëheqës i Drejtorisë ligjore të Doganave të Kosovës, shumë shpejt mund të ulen në bankën e të akuzuarve për disa vepra penale.
Ndaj tyre tashmë është ngritur një aktakuzë, ku Huruglica dhe Rafuna dyshohet se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, para se të hyjë në fuqi akciza për duhan.
Konfirmimin e aktakuzës për këta dy zyrtarë të lartë të Doganave të Kosovës e kanë konfirmuar për Express, zyrtarë për media të EULEX’it.
Blerim Krasniqi në orët e pasdites ka thënë se tashmë ka një aktakuzë për këta dy zyrtarë të Doganave të Kosovës.
“PSK`ja ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve në kontekstin e hetimeve lidhur me importimin e duhanit në dhjetor të vitit 2008, që është bërë nga katër kompani. Ky importim është bërë pak para se të ngrihet akciza. Dihet se akciza ka nisur të aplikohet në janar të vitit 2009”, thonë zyrtarë për media në EULEX.
Naim Huruglica dhe Lulzim Rafuna dyshohen për vepra penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe keqpërdorim i autorizuar ekonomik.
“Kjo veprimtari është konsideruar e paligjshme, ngase është përpjekur për t`i shmangur pagesës së akcizës”, thonë në EULEX.
Hetimet në Doganat e Kosovës kanë filluar në tetor të vitit 2010, nën dyshimet se në këtë institucion kanë ndodhur keqpërdorime të detyrave zyrtare.
Hetimet kishin filluar me urdhër të një prokurori special të EUELX`it.