Akuzohej për mitmarrje, lirohet pedagogu i Juridikut në Shkodër

Lirohet pedagogu i Fakultetit Juridik në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Fran Qafa i arrestuar dy ditë më parë në Shkodër. Lirimi i pedagogut 56- vjeçar, i cili akuzohet për mitmarrje, është bërë me urdhër të Prokurorisë, duke vendosur që Qafa të hetohet në gjendje të lirë.
Fran Qafa, 56 vjeç, lindur dhe banues në Fushë-Arrëz, është arrestuar nga Njësia Task-Force Antikorrupsion dhe Policia e Shkodrës pas denoncimeve të bëra ndaj tij për marrje ryshfeti.
Burimet zyrtare nga Policia e Shkodrës kanë thënë se 56-vjeçari Fran Qafa ra në pranga në ambientin ku kishte lënë takim me studentin, të cilit i kishte kërkuar paratë për ta kaluar në provimin e këtij sezoni.
Sipas njoftimit të policisë, pedagogu ishte nën hetim prej disa kohësh, pas denoncimeve të shumta të bëra nga studentët e këtij Universiteti. Pedagogu Fran Qafa akuzohet për shpërdorim detyre, dhe korrupsion pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike.
Kohët e fundit marrja e provimeve të studentëve në këmbim të parave është bërë një fenomen i dukshëm në Universitetin "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës. Nga burime jozyrtare mësohet se Fakulteti i Drejtësisë ka shkallën më të lartë të korrupsionit, ndërsa më të ultin Fakulteti i Gjuhëve të Huaja.