Të bashkohemi në tubimin: Në emër të Maries, kundër gjakmarrjes
Tiranë – Maria ishte një vajzë shumë e bukur. Por ajo nuk kishte kohë të rritej dhe të bëhej edhe më e bukur. Ajo nuk mundi të jetonte dot më shumë se 17 vjeç, pasi jeta e saj u pre nga një breshëri plumbash që erdhën nga pas shkurreve, ku prej shekujsh fshihet ai që ende quhet gjaksi. Gjaksi, një njeri që dikur shërbente për të vendosur drejtësinë sipas parimit gjak për gjak, ndërsa sot një njeri që nuk pyet për drejtësinë e Kodit Penal por kërkon sërish të vendosë drejtësinë sipas parimit të para 1 mijë viteve.
Vrasja e Maries nga fshati Pult i Dukagjinit ishte krimi më i rëndë që ka ndodhur të paktën këtë vit. Ai është më i rëndë se çdo krim tjetër, pavarësisht motivit. Por ai u përcoll me heshtje të plotë. Shumica e mediave e publikoi atë sikur të ishte një nga dhjetra aksidentet që ndodhin çdo javë në rrugët e Shqipërisë. Ndërsa u gjend vend në faqet e para të gazetave për të gjithë femrat që kishin ndryshuar të dashurit këtë verë, nuk kishte vend për fotografinë e Maries.
Për të ngritur zërin dhe për t’i thënë shoqërisë se ajo ka pjesën e saj të përgjgjegjësisë në atë që ndodh në këtë vend, Alternativa Civile do të organizojë pasditen e të mërkurës një tubim-homazh për shpirtin e Maries dhe një tubim-protestë për pashpirtësinë e gjithë të tjerëve. Dhjetra organizata të tjera të shoqërisë civile janë bashkuar me këtë nismë. Pa ftesa konkrete, tubimi për homzhet e Marias është i pari i këtij lloji dhe e para sprovë për shoqërinë shqiptare. Ai po organizohet vetëm mbi bazën e ftesave në rrjetet sociale, mënyra sesi u organizuan në shumë vende të botën, kryesisht arabe, dhjetra e qindra mijëra njerëz që dolën në rrugë të protetonin kundër diktaturave.
Të mërkurën në orën 19.30, në sheshin para piramidës në Tiranë, do të ndizen qirinj, do të vendosen lule dhe do të lutemi për shpirtin e një vajze që iku pa e nisur jetën akoma. Duke i ftuar të gjithë të vijnë në këtë tubim, ne presim të shikojmë një ndërgjegjësim të shoqërisë, një zgjim të saj, për të treguar se ajo nuk proteston vetëm kur vihet në rresht nga politika.