E Martë, 3 Nëntor 2026

Akuzohet se pastronte paratë e trafikantëve të drogës, GJKKO lë në arrest shtëpie ish-drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi.

Sipas SPAK , Dashi së bashku me dy vëllezër të dënuar në  Belgjikë për trafikim të lëndëve narkotike, dhe persona të tjerë, ka kryer veprime me qëllim pastrimin e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal jashtë vendit nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.

Ajo u arrestua teksa ndodhej në zyrën e saj, në Drejtorinë e Kadastrës në Vorë, ku ushtronte detyrën si specialiste. 

Në dhjetor 2021, Rajmonda Dashi u largua vetëm 3 muaj pas emërimit në krye të Kadastrës në Durrës, ndërsa më herët kishte drejtuar Kadastrën në Krujë.

Gjatë vitit 2002 ajo u pezullua nga detyra për shkak të nisjes së një hetimi nga Prokuroria e Tiranës, por zbutja e masës solli rikthimin e saj në detyrë si specialiste në Vorë. Në kuadër të këtij hetimi, me vendim të Gjykatës së Posaçme janë sekuestruar 49 pasuri, ku përfshihen 12 apartamente në Fier, 4 në Tiranë, 3 garazhe Tiranë, 27 llogari bankare, 1 shoqëri tregtare dhe 2 makina.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›