E Martë, 3 Nëntor 2026

Fier/ Ndoti lumin Gjanica, arrestohet punonjësi, në hetim administratori e përgjegjësi

Një tjetër punonjës i një kompanie private është vënë në pranga pasi u kap ndërsa po shkarkonte mbetje të hidrokarbureve në lumin Gjanica.

Në hetim është vënë dhe administratori i kësaj kompanie dhe përgjegjësi i sektorit të pastrimit në këtë kompani.

Në pranga ra punonjësi i sektorit të pastrimit të kompanisë 52-vjeçari Gj. P ndërsa procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: -Sh. G., 64 vjeç, administrator i kompanisë private dhe M. B., 65 vjeç, përgjegjës i sektorit të pastrimit në këtë kompani. 

Këta shtetas, nëpërmjet aktivitetit të tyre në fushën e hidrokarbureve, kanë ndotur ujërat e lumit Gjanica, pasi kanë shkarkuar aty, mbetjet e këtyre lëndëve, duke shkaktuar prishjen e sistemit ekologjik të lumit.

Një ditë më parë, nisi procedimi penal edhe për 3 punonjës të dy kompanive të tjera, pasi ndotën ujërat e lumit Gjanica, duke shkarkuar mbetje të hidrokarbureve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›