Akuzohet se trafikoi 1 ton marijuanë drejt Italisë, policia e Vlorës prangos, Gregor Likajn

Policia e Vlorës i ka dhënë fund arratisë së një të shumëkërkuari ndërkombëtarisht, pasi akuzohej që, nëpërmjet 3 skafeve, ka trafikuar rreth 1 ton marijuanë, në Itali.
Në prangat e policisë së Vlorës ka rënë shtetasi, Gregor Likaj, i moshës 34 vjeçare, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor ndërkombëtar të koduar “Syri”, të zhvilluar në korrik të vitit 2022.
“Strukturat operacionale dhe ato hetimore të DVP Vlorë, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Syri”, i cili fshihej në lagjen “1 Maji”, Vlorë, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Bazuar në informacionet e siguruara, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle dhe si rezultat, në lagjen “1 Maji”, Vlorë, kanë lokalizuar dhe kapur shtetasin në kërkim G. L., 34 vjeç.”- njofton policia.
Sipas uniformave blu, Likaj ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Skema e trafikimit
Gregor Likaj, në bashkëpunim me 5 shtetas të arrestuar në muajin korrik të vitit 2022, në Vlorë, dyshohet se ka transportuar një sasi prej 992 kg lëndë të dyshuar narkotike marijuanë (të ndarë në 153 pako), me 3 skafe, drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellësi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë.
Operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Syri”, që goditi këtë rast të trafikimit të lëndëve narkotike, u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n, Delta Forcë, Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Policinë Kriminale, në Policinë e Shtetit.
“Gjatë këtij operacioni, u sekuestruan lënda narkotike, 2 automjete dhe 4 mjete lundruese që u përdorën për transportimin e saj. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.”- thuhet në njoftimin e policisë Vlorë.
/rtsh.al/