E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen 50 kg hashash, policia 8 orë “garë vrapimi” me trafikantin

Policia arreston njërin nga transportuesit dhe shpall në kërkim tjetrin. Forcat e antidrogës e ndoqën të riun përmes fushave nga Glina në Sofratikë

Gjirokastër – Pas tetë orësh vrapimi në fushat e Gjirokastrës, policia ka arrestuar dje “maratonomakun”, i cili në këtë rast është një i akuzuar për trafik droge, ndërsa bashkë me një mikun e tij ende në arrati u kap me 50 kg hashash. Policia tha se ka ndjekur për 8 orë të riun, emri i të cilit nuk bëhet me dije në pritje të arrestimit edhe kolegut të tij, dhe “gara e vrapimit” që ka filluar në Glinë ka përfunduar me arrestimin e tij në Sofratikë pas rreth 20 kilometrash.

Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, rreth orës 01:00 të së mërkurës, specialistët e Seksionit për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër kanë marrë informacion në rrugë operative për një tentativë të transportit të lëndëve narkotike nga fshati Lazarat në drejtim të Greqisë. “ 2 të rinj, në vendin e quajtur “Fushat e Glinës ”, përballë fshatit Glinë, të rrethit Gjirokastër po transportonin me krahë në drejtim të kufirit jeshil me shtetin grek dy çanta të mëdha shpine, ku dyshohej se kishin lëndë narkotike”, - thonë specialistët antikrim në komisariatin e Gjirokastrës. Mbështetur mbi këtë informacion efektivat e policisë kanë nisur veprimet për goditjen e këtij rasti të trafikut të lëndëve narkotike në drejtim të Greqisë, sekuestrimin e ngarkesës me drogë si dhe ndalimin e transportuesve të saj. Veprimet e policisë janë zhvilluar në një mot të vështirë me shi të rrëmbyeshëm dhe mjegull të dendur. “Rreth orës 01:20, ne bëmë të mundur identifikimin e vendndodhjes së dy personave të dyshuar të cilët kishin qëndruar anës lumit Drino, përballë fshati Glinë”, - thonë burimet policore.

Në momentin që efektivat e policisë janë afruar pranë vendit ku ndodheshin të dy të dyshuarit, ata kanë braktisur çanta e shpinës dhe janë larguara me vrap në drejtim të fushave të Glinës për ti shpëtuar ndjekjes së policisë. Pas verifikimeve të para policia konstatuar se në të çantat e shpinës kishte në total rreth 50 kg marijuanë të paketuar në disa pako me peshë të ndryshme. Ndërkohë policia ka vijuar ndjekjen e dy të dyshuarve si transportues të kësaj ngarkese me lëndë narkotike. “Ne u bëmë thirrje të dy personave që të ndalonin, por ata janë hedhur në lumin Drino dhe pasi u ndanë nga njeri-tjetri, kanë vijuar të lëvizin me shpejtësi në drejtime të ndryshme”, - thonë burimet policore. Në ndihmë të forcave të policisë së Komisariatit të Gjirokastrës janë vendosur edhe specialistë të antidrogës në policinë e Gjirokastrës.

Ndjekja e dy personave, të cilët po bënin transportimin e dy çantave me lëndë narkotike, ka vijuar për gati 8 orë rresht ndërkohë që rreth orës 09.00 të së mërkurës në afërsi të fshatit Sofratikë policia ka bërë të mundur ndalimin e njërit prej personave të dy shuar si transportues të ngarkesës me lëndë narkotike. Pasi është shoqëruar për në mjediset e policisë lokale ai është intervistuar nga grupi hetimor në lidhje me këtë rast të trafikimit të lëndëve narkotike. Mbi bazën e informacioneve të mbledhura policia ka bërë të mundur edhe identifikimin e personit të dytë të përfshirë në këtë rast të transportimit të lëndëve narkotike, ndërkohë që vazhdojnë kërkimet për ndalimin e tij. “Për arsye hetimi nuk bëjmë me dije asnjë të dhënë në lidhje me identitetin e dy të dyshuarve pasi operacioni është në vijim dhe hetimet vazhdojnë”, pohoi mesditën e së mërkurës Drejtoria e Policisë në Gjirokastër. Sipas grupit hetimor lënda narkotike prej 50 kg marijuanë është blerë në fshatin Lazarat dhe si destinacion përfundimtar kishte shtetin grek.

Ky është rasti i dytë brenda 24 orëve të fundit që strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës regjistrojnë goditje të tentativave të transportimit të ngarkesave me lëndë narkotike në drejtim të Greqisë. Pas sekuestrimit të 8 kg marijuanë, një pjesë e së cilës kishte si destinacion shtetin grek dhe ndalimin e shoferit transportues, efektivat e policisë kanë sekuestruar rreth 50 kg marijuanë, kanë ndaluar njëri prej transportuesve të kësaj ngarkese si dhe kanë shpallur në kërkim transportuesin e dytë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›