Akuzojnë Isën
I dëshpëruar nga degradimi i qytetit të Prishtinës, inxhinieri Ejup Bajrami, njëherit edhe udhëheqës i shoqatës Iniciativa Qytetare për Mbrojtjen e Qytetit të Prishtinës (IQPMQ), ka vendosur të shprehë mllefin që i është akumuluar, prej se Isa Mustafa udhëheq Prishtinën.
Duke e quajtur të parin e Prishtinës, si bashkëpjesëmarrës në krimin e organizuar dhe në afera korruptive, inxhinieri Bajrami ka vendosur që t’u shkojë deri në fund akuzave, për të cilat ai edhe ka bërë ankesë në formë të shkruar. Përveç Komunës, ai këtë ankesë e ka dërguar edhe në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe në institucionin e Avokatit të Popullit.
I kontaktuar nga Expressi, Bajrami thotë se, është detyruar ta bëjë këtë ankesë duke e parë që Isa Mustafa është duke e marrë në qafë Prishtinën. Ai në emër të anëtarëve të shoqatës, ka kërkuar anulimin dhe ndërprerjen e ekzistencës së mëtejme të Rregullores për trajtimin e ndërtimeve pa leje, dhe manualit për legalizimin e objekteve pa leje.
“Sepse, Isa Mustafa është ai që rri mbrapa krejt këtij degradimi të Prishtinës. Ai është personi që ka lëshuar leje për ndërtim edhe përkundër urdhrave të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor për ndërprerjen e dhënies së këtyre lejeve”, tregon Bajrami për Express.
Ai mban mend edhe premtimin që kryetari ka dhënë kohë më parë lidhur me ata persona që ndërtojnë objekte pa lejen e Komunës. “Isa pati thënë se do të ketë gjoba për ata që ndërtojnë pa leje, e më pas këto gjoba ai vetë i ka hequr. Kush është kryetari m’i hekë këto gjoba, kur qytetarët punojnë kundër ligjit”, flet i shqetësuar inxhinieri Bajrami, i cili shprehet i bindur që të gjitha këto dallavere lidhur me objektet që janë ndërtuar pa leje, kanë bërë që Isa Mustafa të pasurohet. “Është shumë e çuditshme, prej nga ky Isa e fitoi gjithë atë pasuri”, sqaron Ejup Bajrami.
Prandaj, ai thotë se duke i parë të gjitha këto parregullsi, në të cilat, sipas tij, edhe kryetari i Prishtinës është i përfshirë, ka vendosur që të bëjë ankesë në të gjitha institucionet e Kosovës. “Deri tash, askush nuk ka ndërmarrë asgjë, por unë do të insistoj, sepse dikur shteti nuk ka çare pa ra në binarë. E, atëherë, edhe kryetari Mustafa do të përgjigjet për krejt këto çfarë ka bërë”, vlerëson Bajrami.
Por edhe përkundër ankesave drejtuar Komunës së Prishtinës, kjo e fundit po vazhdon të punojë në qetësi. Asaj nuk i bëjnë përshtypje akuzat e Iniciativës për Mbrojtjen e Qytetit të Prishtinë (IQPMQ) drejtuar kreut të Prishtinës, Isa Mustafa. Komuna po vazhdon të merret me objektet që kanë hyrë në proces për t’u legalizuar. Madje, ditëve të fundit, është angazhuar edhe një komision, i cili vazhdimisht del në terren për të mbledhur të dhënat faktike, për të gjitha ato shtëpi që kanë aplikuar për legalizim.
Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, njëherit edhe u.d. drejtor i Inspektoratit në këtë komunë, thotë se edhe përkundër kërkesës së IQPMQ-së, procesi dhe mbledhja e të dhënave për objektet që kanë aplikuar për legalizim, do të vazhdojë normalisht. “Procesi po shkon sipas të gjitha procedurave ligjore, të cilat Komuna i ka kryer. Prandaj, edhe përkundër këtyre shqetësimeve, kjo fazë do të vazhdojë”, sqaron Gashi për Express.
Përveç kësaj, ai thotë se procesi për legalizim, është çështje që nuk kthehet mbrapa.
“Sepse, punët që janë bërë deri tashti, hartimi dhe miratimi i rregullores, nxjerrja e manualit, incizimi satelitor dhe pranimi i 6 mijë e 147 aplikimeve nga qytetarët, tregon se ka qenë nevojë që kryeqyteti të punojë për të mirën e qytetarëve”, u shpreh zëdhënësi Gashi.
Ndryshe, ankesën për anulim të Rregullores për legalizim e ka bërë inxhinieri Ejup Bajrami, kryetar i Iniciativës për Mbrojtjen e Qytetit të Prishtinë (IQPMQ), në emër të shoqatës ka kontestuar gjithë procesin për legalizimin e objekteve pa leje, dhe njëherësh ka kërkuar anulimin e manualit dhe Rregullores për trajtimin e ndërtimeve pa leje, e miratuar në vitin 2009.
Kjo shoqatë, vetëm pak javë më parë, u kishte kërkuar organeve më ta larta të Prishtinës që në procesin e legalizimit të objekteve pa leje, të mos i legalizonte objektet e asnjë zyrtari të institucioneve komunale dhe të atyre qendrore.
Duke u nisur nga kjo kërkesë, Bajrami në emër të shoqatës që e drejton, i ka dërguar ankesë edhe Ministrisë të Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL). E, përveç Ministrisë, ankesën e njëjtë ai ia ka drejtuar edhe institucionit të Avokatit të Popullit.
Në shkresën drejtuar këtyre institucioneve, me anë të së cilës Bajrami ka kërkuar anulimin e Rregullores për trajtimin e ndërtimeve pa leje, ai është mbështetur edhe në disa gjetje, të cilat sipas tij, nuk përputhen me dispozitat ligjore.
“Arsyet bazë të kërkesës për anulimin e kësaj rregulloreje, i kemi bërë duke u mbështetur në rregullat e nenit 16, 16.1, në shkronjat b.e,d. të Ligjit për ndërtim, që nuk i japin kompetencë Komunës për nxjerrjen e një akti të tillë”, thuhet në ankesën e IQPMQ-së, e gjitha gjithashtu ka vërejtur se Komuna e ka nxjerrë Rregulloren për legalizim, duke u bazuar edhe në Nenin 16 të Ligjit 2004\15, i cili nuk bën fjalë për legalizimin e objekteve të ngritura pa leje ndërtimi.
E përveç ligjeve, shoqata ka rekomanduar MAPL-në që ta anulojë dhe ta ndërpresë ekzistencën e mëtejme të Rregullores për legalizim dhe Doracakut për aplikimin e kësaj rregulloreje, në mënyrë që ky akt të mos ketë edhe më tej pasoja të dëmshme për Prishtinën.