Kandari i Kuçit
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi - dy ditë pas vizitës së Borko Stefanovicit - ka sqaruar shumëçka rreth hapave që u ndërmorën përpara ardhjes së kryenegociatorit serb në Prishtinë.
Në proces, siç ndodh gjithmonë, duket të kenë qenë të involvuar fuqishëm diplomatët amerikanë dhe europianë.
Por, Zëvendëskryeministri nuk pranon që pala kosovare t’i jetë nënshtruar presionit.
Sipas tij, bëhet fjalë për sugjerime ndërkombëtare.
“Kosova nuk ka presion ndërkombëtar asnjëherë. Kosova ka sugjerime dhe i ka miq ndërkombëtarët. Dhe, çelësi i suksesit të Kosovës ka qenë, duke e ruajtur unitetin nacional dhe duke e ruajtur partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare”, ka deklaruar Kuçi, për Express, të shtunën.
“Kosova çdoherë duhet të jetë në orientim me BE’në dhe SHBA’në. Çdo lëvizje tjetër nga ky qëndrim ndaj kujtdo qoftë, kurdo qoftë, mendoj se është gabim. Sugjerimet që vijnë nga BE’ja dhe SHBA’ja nuk janë presione, janë miq që kanë kontribuar në lirinë, pavarësinë dhe qëndrueshmërinë që e ka Kosova sot”, ka shtuar ai.
Vizita e zyrtarit serb në Prishtinë është komentuar si një avantazh i Serbisë në procesin e dialogut për shkak të mesazheve që ky shtet dërgoi me këtë vizitë në Bruksel.
Hajredin Kuçi thotë se kjo punë nuk është “çështje peshoreje”.
“Mendoj se kalkulimet me gramë, kush fitoi e kush humbi, në këto raste nuk shkojnë. Ne jemi në një proces që e kemi pranuar dialogun, jemi në një proces që akterë janë edhe bashkësia ndërkombëtare, BE’ja dhe SHBA’ja. Në këtë drejtim duhet t’i respektojmë rregullat, të tregojmë seriozitetin tonë edhe si shtet, dhe unë jam i bindur se në këtë drejtim janë relaksuar ambientet dhe është parë se nuk është diçka e jashtëzakonshme të takohen dy zyrtarë të Kosovës me ata të Serbisë”.
Sipas tij, problemet zgjidhen në tavolinë.
“Në takime të tilla janë në drejtim të krijimit të paqes në rajon, por edhe të definimit të raporteve Kosovë-Serbi njëherë e përgjithmonë”, thotë Zëvendëskryeministri.
Ai është përgjigjur edhe rreth deklaratës së Zëvendëskryeministres Edita Tahiri, e cila pohoi se nuk do të shkojë në Beograd dhe për gatishmërinë e tij për ta bërë një gjë të tillë.
“Unë kur flas si Zëvendëskryeministër, besoj se veç Kryeministri ndryshon qëndrimin tim dhe në anën tjetër nuk kam folur për krekosje, por secili prej nesh që e mban një pozicion - nëse e pret një shtet tjetër, si shtetar i vendit, nëse pritet si Zëvendëskryeministër - e ka për obligim të shkojë”, ka thënë ai.
“Ndërsa qëndrimet personale mund t’i lëmë për diku tjetër, por jo për politikë. Ajo çka mund të them, është se Kosova nuk e ka fobinë e takimeve me Serbinë, por kjo gjithmonë nuk nënkupton që jashtë zgjidhjeve të dialogut do të jenë BE’ja dhe SHBA’ja. Ne nuk ngarendim të shkojmë në Serbi, ne jemi ata që nuk do ta kufizojmë veten për asnjë çështje. Unë i besoj SHBA’së, i besoj BE’së dhe kur ata besojnë në një zgjidhje të tillë, unë do ta mbështes personalisht, por edhe si Zëvendëskryeministër”, ka shtuar Zëvendëskryeministri Kuçi.
Ai ka folur edhe rreth fotografisë së shkrepur në momentet kur në zyrën e tij ndodhej Borko Stefanovic.
“E kam thënë se çdo foto, me përjashtim të fotove familjare, takimeve zyrtare do t’i publikoj kur të doni”, ka thënë Kuçi, një ditë pas publikimit të fotos së pacensuruar, ku shihet se në tavolinë ishin dy flamuj, ai i Kosovës dhe i Serbisë.
Nevojë për zëvendësministra
Tri javë përpara se Qeveria Thaçi 2 ta harxhojë 100-ditëshin e parë, ende nuk janë emëruar zëvendësministrat.
Hajredin Kuçi thotë se kjo çështje është në dorën e Kryeministrit, por shton se Qeveria po funksionon normalisht.
“Natyrisht se ka nevojë të emërohen Zëvendësministrat. Besoj se shumë shpejt Kryeministri do ta bëjë një veprim të tillë dhe do ta emërojë një zëdhënës të Qeverisë”, ka thënë ai.
Kryetari s’ndërrohet
Ditëve të fundit është folur për mundësinë e mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor të PDK’së, pasi që kuvendi i kaluar ishte konsideruar se nuk kishte përfillur rregullat statutare të kësaj partie.
Por, Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi nuk e di se kur do të ndodhë kjo.
Ajo çka di ai, është se Kryetari i partisë, Hashim Thaçi, nuk do të ndërrohet.
“PDK’ja nuk e ka ndërmend ta ndërrojë Kryetarin. Dhe për ato parti që nuk e kanë ndërmend ta ndërrojnë Kryetarin, nuk është lajm mbajtja e kuvendeve zgjedhore”, ka thënë Kuçi për Express.
Gjasat më të mëdha për fillimin e zgjedhjeve të brendshme në PDK janë për shtatorin e këtij viti, ku fillimisht do të mbaheshin zgjedhjet nëpër degë, e më pas, diku në shtator, do të mblidhej Kuvendi Zgjedhor.