Nafta e çon në Prokurori
Favorizimi për një kompani të njohur që merret me derivate, në një tender për furnizimin me naftë për policinë e Kosovës, e ka çuar në suspendim prej 48 orësh drejtoreshën e Prokurimit në Policinë e Kosovës, Xhevahire Vatovci.
Ajo dyshohet se para një viti, kur policia e Kosovës kishte shpallur tenderin për furnizim me derivate për PK, Vatovci kishte favorizuar një kompani të njohur që merret me këtë punë.
“Ajo dyshohet se kishte favorizuar një kompani të njohur që merret më këtë çështje”, thotë një burim i gazetës.
Suspendimi për drejtoren e Prokurimit në Policinë e Kosovën është konfirmuar edhe nga vetë zyrtarët policorë.
“Me dyshimin e bazuar për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit Neni 339 i Kodit Penal të Kosovës me vendim të drejtorit të përgjithshëm të PK-së, është suspenduar për 48 ore drejtoresha e prokurimit të policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas burimeve të gazetës, drejtoresha e Prokurimit në PK ka më shumë se një vit që është duke u hetuar nga njësia për krime ekonomike.
“Hetimet lidhur me ketë rast është duke i kryer Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit e Policisë së Kosovës, të udhëhequra nga Prokuroria e Qarkut e Prishtinës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Por, pista e hetimeve për këtë zyrtare të lartë policore nuk mbaron me kaq.
“Përveç favorizimit të kompanisë për derivate për Policinë e Kosovës, ajo dyshohet edhe për disa vepra të ndryshme penale”, tregon burimi i gazetës.
Sipas këtij burimi, Xhevahire Vatovci dyshohet edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare në një tender që ka të bëjë me furnizimin me tonerë për policinë e Kosovës.
“Tashmë ky rast për furnizim me tonerë për PK është i njohur, dihet se janë arrestuar disa persona nga Ferizaj, dyshohet se edhe për këtë rast, ajo ka keqpërdorur detyrën zyrtare”, thotë ky burim.
Sipas këtij burimi, drejtores së prokurimit do t`i vazhdohet edhe për disa muaj suspendimi.
“Lënda e saj tashmë ka kaluar në Gjykatë dhe sipas të gjitha gjasave, asaj do t`i vazhdohet edhe për një muaj suspendimi, në mënyrë që Prokuroria të vazhdojë punën e saj për këtë rast’, rrëfen ky burim.
Gazeta ka provuar gjatë gjithë ditës të kontaktojë me drejtoreshën e prokurimit tashmë të suspenduar, për të marrë një qëndrim prej saj, por ajo nuk e ka hapur telefonin e saj.
Përveç saj, as drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi nuk e ka hapur celularin e tij gjatë gjithë ditës së shtunë.
Xhevahire Vatovci ka më shumë se dy vjet që ka ushtruar detyrën e pozitës së drejtores së Prokurimit në policinë e Kosovës.
“Pas suspendimit për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare të saj, në këtë pozitë pritet të emërohet një person tjetër, që po ashtu ka punuar bashkë në të njëjtën zyrë me të”, thotë ky burim.