Baci: Luftëtari i ka kapacitetet ta përballojë Adën
Mbrojtësi Alis Baci mendon se duelin e shkodranëve në Velipojë do ta fitojnë ata me banim në Gjirokastër
Ndeshja AdaLuftëtari do të jetë në njëfarë mënyre edhe një duel shkodranësh, atje pranë vatrës së futbollit kombëtar, atyre që janë afër vendlindjes së tyre dhe këtyre që janë shumë larg saj. Të dyja palët, për vetë formimin e tyre, do të luajnë me tërë seriozitetin për ngjyrat e ekipit që përfaqësojnë.
Para kësaj përplasjeje, në kuadrin e Kupës së Shqipërisë, Luftëtari do të ndeshet me Kastriotin në Gjirokastër, ku, si vazhdimisht, do të paraqitet me formacionin e dytë, atë të posaçmin, për të pasur tjetrin të konservuar për ndeshjen e kampionatit, ku edhe është përqendruar si rrallëherë. Java shtesë për Luftëtarin ndikon për mirë, pasi riaftësohen dy nga tre të dëmtuarit, Gaxhaj dhe Raboshta, si dhe përmirësohet gjendja e Shalarit.
Baci Alis Baci, mbrojtësi shkodran që sezonin e fundit luajti me Adën dhe këtë sezon me Luftëtarin, për të cilin ka shënuar edhe 2 gola, shprehet: Ekipi ynë është nisur për superligën dhe i ka të gjitha mundësitë të qëndrojë në krye të renditjes, për ta mbyllur fazën e parë ashtu si i takon. Kështu do të justifikojmë interesimin për të, do të gëzojmë tifozët tanë dhe ca më shumë të kalojmë sa më të gëzuar edhe festat e fundvitit.
Janë edhe tri ndeshje dhe për të trija, duke nisur nga ajo me Adën në fushën e saj, duhet kujdes maksimal. Kapaciteti i Luftëtarit është i tillë, që mund ta përballojë me sukses, edhe pse luan në Velipojë. Ky kapacitet rrjedh nga fakti që ai është i kompletuar në të gjitha repartet. Në çdo repart ka futbollistë ndër më të mirët e kategorisë së parë, madje edhe me aromë superlige. Me Adën jam i sigurt që do të luajmë një lojë korrekte, që mund të jetë edhe argëtuese dhe në këtë kuadër rezultati do të jetë i pranueshëm për të dyja palët, cilido që të jetë.
