Alain Delon donte të varrosej me qenin e tij Loubo

PARIS, 21 gusht /ATSH/- Pas vdekjes së aktorit dhe regjisorit Alain Delon, i cili u nda nga jeta të dielën më 18 gusht në moshën 88-vjeçare, u shfaqën dëshirat e tij të fundit, të cilat ndezën polemika publike në Francë dhe në mbarë botën. Madje, aktori kishte shprehur dëshirën që të varrosej me qenin e tij besnik Loubo, i cili është ende gjallë dhe i shëndetshëm, sipas “Il Messaggero”.
Vendi i zgjedhur për varrim ishte prona e tij në Douchy, Loiret, një pasuri prej 55 hektarësh.
Vetë aktori francez deklaroi në nëntor 2018, në një intervistë, ku ai u pyet në mënyrë eksplicite nëse do të kishte dashur një nderim kombëtar pas vdekjes së tij – një ceremoni publike në prani të zyrtarëve më të lartë të shtetit, siç kishte qenë për mikun e tij Jean-Paul Belmondo, Johnny Hallyday apo Charles Aznavour?
Ylli i ‘Samurai’ u përgjigj “Jo, jo, absolutisht jo!
Në intervistën e dhënë për Catherine Ceylac në emisionin ‘Thé ou Café’ Delon tha: “Tashmë e dimë se ku do të varrosem”, duke iu referuar shtëpisë së tij në Douchy, në rajonin e Loiret.
“Dua të varrosem si gjithë njerëzit e thjeshtë dhe absolutisht jo si artistët që përmende…”, insistoi Delon, duke treguar se donte të varrosej jo shumë larg qenve të tij.
Ajo që befasoi botën, megjithatë, nuk ishte dëshira e aktorit për t’u varrosur me kafshët që donte, por dëshirat që ai shprehte për të preferuarin e tij: Loubo, të cilin e konsideronte si djalë.
“Unë e dua atë si një fëmijë”, tha Delon për “Paris Match” në 2018.
“Unë kam pasur 50 qen në jetën time, por kam një marrëdhënie të veçantë me Loubo. Ai më mungon kur nuk jam pranë”, tha ai.
“Nëse unë vdes para tij, do t’i kërkoj veterinerit të na marrë bashkë. Unë do ta vë në gjumë në krahët e mi. Më mirë të bëj këtë sesa ta di se ai do ta lërë veten të vdesë në varrin tim me kaq shumë vuajtje”, shtoi ai. //a.i/