Alarm në Fierzë, shkrin dëbora, dyfishohen prurjet
SHKODER- Shkrirja e borës rrit alarmin në liqenin e Fierzës në basenë e të cilës janë ngritur hidrocentalet kryesore në vend. Sipas të dhënave më të fundit nga KESH prurjet në hidrocentralin e Fierzës si rezultat i rritjes së temperaturave, sot janë dyfishuar duke shkuar në 800 metër kub ujë në sekondë nga 400 metër kub ujë në sekondë që ishte një ditë më parë. Kjo ka sjellë shtimin e prurjeve duke bërë alarmante situatën në një prej hidrocentraleve më të mëdha në vend. Uji i është afruar pikës kritike në liqenin e Firzës duke arritur në 292 metra ose 2 metra larg pikës kritike. Kapaciteti maksimal i liqenit të Fierzës është 296 metra dhe nëse tejkalohet ky nivel atëherë kjo mund të jetë një prag katastrofe e vërtetë. Pa asnjë rrugëdalje KESH ka hapur sërish portat e shkakrimeve në tre HEC-e. Nga Fierza po shkakrohen 400 metra kub ujë në sekondë, nga Vau i Dejës 1200 metra kub ujë në sekondë dhe nga hidrocentrali i Komanit 1000 metra kub ujë në sekondë. Sipas të dhënave më të fundit në të tre hidrocentralet prodhimi i energjisë elektrike ka arritur kotën maksimale historike ditore mbi 28 milionë kilovat orë por sërish kjo sasi prodhimi nuk mund të sjellë shpresa për ulje të nivelit të liqenin. Situata në kaskadën e Drinit mbetet alarmante, sepse me këtë nivel prurjesh edhe pse hidrocentralet punojnë me gjithë fuqinë e tyre, niveli i Fierzës po vazhdon të rritet. (m.a/News24/BalkanWeb)