E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baloteli: Publiku i Veronës ma shpif

VERONA- Mario Baloteli ishte heroi i Interit kundër Kievos, por njëkohësisht edhe personazhi i “preferuar” i tifozëve veronezë. Në përfundim të takimit, sulmuesi zikaltër ka qenë tepër i ashpër me publikun, që e ka fishkëllyer moment pas momenti. “Dua të them diçka: sa herë vij këtu në Verona, e kuptoj se ky publik ma shpif gjithnjë e më shumë”, tha ai pas takimit. “E gjithë kjo është e papranueshme”, shtoi Baloteli, duke denoncuar klimën aspak miqësore në “Bentegodi”. Ndërkohë, Zhoze Murinjo ka qenë më i butë për këtë çështje. Sipas tij, të kuptosh çështjen “Baloteli”, duhet të kuptosh se kush është Mario, “një djalosh që shpesh thotë gjëra që s’duhet t’i thojë dhe shpesh bën gjëra që s’duhet t’i bëjë”. “Megjithatë, është një kampion i madh po të shohësh atë që bën në fushë”, tha trajneri portugez. Në lidhje me fjalët e ashpra të thëna nga Baloteli, Murinjo u shpreh: “Kievo është një klub i bukur, në qytet është një ambient me shumë fair-play. Fjalët e pista mund të jenë për Balotelin ashtu si për çdo lojtar tjetër. Fundja, publiku i Veronës nuk është ndryshe nga ai i stadiumeve të tjera. Publiku është pak a shumë i njëjtë kudo. Ndoshta Mario duhet të respektohet pak më shumë në fushë”, deklaroi Murinjo. REAGIMET Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Veronës Flavio Tosi nuk ka qenë dakord me fjalët e Balotelit. “Ai është një djalosh i papjekur dhe mendjemadh, nuk do të bëhet kurrë kampion. Kampionët e mëdhenj janë të përulur dhe kanë gjithnjë buon sens. Këto karakteristika Baloteli nuk i disponon. Të akuzosh publikun e Kievos, një nga më korrektët në Itali, është paradoksale. I shkreti Baloteli nuk do të jetë kurrë kampion”, tha ai. Edhe trajneri Domeniko Di Karlo nuk i ka pritur mirë fjalët e Mario Balotelit. “Baloteli duhet të shohë veten e tij, sepse kudo që shkon thotë të njëjtën gjë. Mario duhet ta kuptojë se është ai që duhet të ndryshojë sjellje”, u shpreh ai. Ndërkohë, presidenti i Kievos Luka Kampedeli ishte më i ashpër. “Baloteli nuk duhet të guxojë të ofendojë Veronën. Nëse një profesionist nuk di të pranojë fishkëllimat, gabon. Ai nuk mori asnjë kor racist, por thjeshtë fishkëllima. Problemi nuk është ngjyra e lëkurës së tij, por sjellja që Baloteli tregon në fushë”, tha Kampedeli. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›