Alarm në Klinë për rrezikun nga kafshët e ngordhura nga vërshimet

Banorë të fshatit Zajm, të dielën, i janë përveshur punës për t`i pastruar shtëpitë që pësuan nga vërshimet e dy ditëve më parë. Niveli i ujit ka rënë, porse autoritetet komunale nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për hapjen e kanaleve. Ata kanë ftuar banorët të mos kthehen në shtëpi, sepse ekziston rreziku i përhapjes së ndonjë epidemie, shkaku i kafshëve të ngordhura.
Inspektori i Shërbimeve Publike, Elmi Krasniqi, ka thënë se rreziku me i madh është përhapja e ndonjë sëmundjeje infektive pasi qe ka kafshë të ngordhura. Ai ka treguar se janë angazhuar në largimin e tyre.
“Unë i kisha ftuar banorët që për momentin të mos kthehen në shtëpitë e tyre deri në largimin e disa gjërave që janë të rrezikshme”, apelon Krasniqi.
Ndërkaq, Esat Raci, drejtor për Shërbime Publike dhe Emergjente, i ka thëne gazetës të dielën se janë formuar komisionet në nivel komunal për vlerësimin e dëmeve në ekonomitë familjare, objektet publike dhe ato në kultura bujqësore duke përfshirë dhe blegtorinë dhe shpezët.
Rraci e pranon se Komuna nuk ka shpërndarë ndihma për familjet e evokuara në mungesë të buxhetit, ndërkohë që thotë se Kryqi Kuq i ka premtuar se do të shpërndajë ujë, batanije e ushqim për familjarët që janë të strehuar jashtë shtëpive të tyre.
Sipas Rracit, vlera e dëmeve është me miliona euro në ekonomitë familjare e po ashtu edhe ato publike. Nga uji janë dëmtuar objektet e Qendrës së Punës Sociale, Çerdhja e Fëmijëve, dy ura në Jashanicë, rruga e Zajmit ajo e Leskocit e tjera. Por komuna nuk ka mjete për kompensim të dëmeve. Rraci pohon se do të kërkojnë ndihmë nga Qeveria e Kosovës për kompensim të dëmeve. Është kërkuar që të bëhet dezinfektimi i bunarëve prej nga banorët janë furnizuar me ujë të pijshëm.
Ahmet Foniqi, teksa po hiqte baltën nga ambientet e brendshme të shtëpisë, pohonte se vlera e dëmit të shkaktuar nga përmbytjet kap vlerën e 10 mijë eurove.
“Gjithçka që kishim është dëmtuar, nuk kemi arritur qoftë gjërat me të vogla t’i largonim, sepse uji na ka përmbytur shpejt”, rrëfen Foniqi.
Ai dhe shumë bashkëfshatarë të tjerë nuk janë rikthyer në shtëpi, ndonëse niveli i ujit ka rënë.
“Jemi strehuar te një i afërm në fshat, askush e as komuna nuk na ka sjellë ndihma”, thotë Foniqi. Ai thotë se ende nuk ka kushte për kthim.
Sipas tij, komuna dhe policia kanë qëndruar vazhdimisht afër fshatit. Asnjë familje e këtij fshati nuk ka dashur të strehohet në vendin ku komuna e ka caktuar në objektet e Shkollës Fillore në Klinë dhe ata po qëndrojnë të afërmit e tyre në Klinë, Zajm e gjetiu. Qamil Gashi, nga ky fshat, kritikon institucionet e vendit për reagim të vonuar.
“Reagimi i institucioneve tona nuk ka qenë në nivel të duhur, ka pasur shumë vonesa, familjet janë evokuar falë angazhimit të vetë banorëve, në këtë rast është dashur të intervenohej në shtëpitë më shpejt”, thotë Gashi, i cili akoma nuk është kthyer në shtëpinë e tij të përmbytur nga uji.
Aktualisht fshati Zajm përballet me mungesë rryme dhe uji të pijshëm./Indeksonline/