VV: Hamza, klonim i Hashim Thaçit

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! përmes një aksioni, kanë kundërshtuar zgjedhjen e Bedri Hamzës në krye të Bankës Qendrore të Kosovës.
Ata kanë vendosur një tabelë me mbishkrimin “E zënë, PDK”, në rrethojat e BQK-së, për të vazhduar më pas te zyra e AKP-së.
Sipas VV-së, emërimi i njerëzve të PDK-së , është një tendencë e Qeverisë Thaçi për të shtrirë kontrollin në të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet publike në vend.
“Kjo Qeveri pasi e ka shtri ndikimin dhe e ka marrë sistemin gjyqësor deri në Gjykatën Kushtetuese pastaj RTK-në e kështu me radhë, ajo e morri nën kontrollin e plotë edhe Bankën Qendrore të Kosovës, dhe Agjencionin Kosovar të Privativizmit. Këto dy ndërmarrje janë shumë të rëndësishme për Qeverinë e Hashim Thaçit, në mënyrë që përmes AKP-së ta vazhdojë lehtësisht procesin e privatizimit të egër, neoliberal dhe tërësisht të korruptum, kurse përmes BQK-së ta shtrijë dhe ta forcojë kontrollin në industrinë financiare”, ka thënë drejtuesi i Sekretariatit për Aktivitete në VV, Frashër Krasniqi .
Sipas tij, kjo qeveri po shpreh haptazi synimet e saja zaptuese dhe nënshtruese.
“Përmes emërimit të njerëzve servilë të tij, të cilët janë klonim i Hashim Thaçit, ky i fundit i ka zaptu institucionet publike duke i shpreh qartazi synimet e tij zaptuese, synime këto që janë në kontradiktë të papajtueshme me synimet e shoqërisë tonë për një shtet të zhvilluar dhe demokratik .
Prandaj jemi kundër emërimeve të tilla dhe do t’i kundërshtojmë në çdo mënyrë”, ka shtuar Krasniqi.
Pas aksionit, aktivistët e VV-së janë nisur drejt zyrës së AKP-së, për të kryer aksionin e njejtë./Indeksonline/