Vazhdon mbështetjen për transportin humanitar në Shtërpcë

Është rikthyer transporti humanitar për qytetarët e Shtërpcës në relacionin Ferizaj - Brezovicë dhe anasjelltas, pas ndërprerjes në fund të vitit të kaluar. Kësaj vije autobusi falas, e vetmja për transportin e udhëtarëve të Shtërpcës, i pati skaduar afati në dhjetor 2012, mirëpo, pas kërkesave të zyrtarëve komunalë, ka rifilluar së qarkulluari javën e kaluar.
Kryetari i Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, nëpërmjet një shkrese dërguar në adresë të ministrit Fehmi
Mujota, ka kërkuar që transporti humanitar për qytetarët e Shtërpcës në këtë vijë, të bëhet edhe për këtë vit. “Komuna e Shtërpcës pas shumë viteve ka arritur të lëshojë në qarkullim transportin publik në relacionin Brezovicë - Ferizaj – Brezovicë. Auto-transportuesi, firma “Endriti”, ka marrë lejen për transportin në relacionin e sipërcekur.
Transporti është bërë tri herë në javë nga tri herë në ditë. Duke parë se kontrata e këtij transporti përfundon në fund të vitit, ju dërgojmë këtë shkresë dhe kërkojmë nga ju që me kohë kontrata të vazhdohet dhe të mos ndërpritet transporti publik në këtë relacion edhe për vitin 2013”, thuhet mes tjerash në letrën e kryetarit të Shtërpcës, dërguar ministrit të Infrastrukturës.
Kësaj kërkese të kryetarit të Shtërpcës, Ministria e Infrastrukturës i është përgjigjur pozitivisht. Edhe gjatë këtij viti transportin humanitar do ta kryejë ndërmarrja transportuese “Endriti” nga Ferizaj, po ajo që e kishte kryer edhe vitin e kaluar.
Qytetarët e Shtërpcës e kanë pritur mirë vendimin e Ministrisë, por kanë kërkuar që të ketë ndryshim në orarin e qarkullimit të autobusit, në mënyrë që ai t’u përshtatet më shumë nevojave të tyre.
Disa qytetarë kërkojnë që vija e parë për Ferizaj të jetë në ora 7.00 të mëngjesit dhe e kthimi i fundit të jetë pas orës 18.00. Bujar Bajrami, student në UP, nga Shtërpca, ka thënë se orari aktual nuk u shërben fort qytetarëve. “Propozoj që nisja e parë të bëhet në orën 7 nga Brezovica e kthimi i fundit të jetë pas orës 18.00”, thotë ky qytetar.
Nënkryetari i Komunës, Beqir Fejzullahu, ka thënë se Komuna ka mirëpritur lëshimi në qarkullim i autobusit falas edhe për vitin 2013. Ai ka thënë se është duke u shqyrtuar mundësia që orari i qarkullimit të autobusit të bëhet në bazë të kërkesave të qytetarëve./Indeksonline/