Alarmi, Sharra po shkon drejt mbushjes
Landfilli i përpunimit të mbetjeve urbane po shkon drejt mbushjes, çka detyron autoritetet përgjegjëse, një ndër të cilat është edhe Bashkia e Tiranës, të marrin masa për menaxhimin e situatës. Tashmë shqetësimin e ngritur nga ambientalistët vendës dhe të huaj, se çfarë do të ndodhë me venddepozitimin e Sharrës, pas disa vitesh, e ngrenë edhe përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës, të cilët thonë se rreth 800-900 tonë mbeturina në ditë depozitohen në Sharrë, ndërkohë që landfilli grumbullon dhe mbeturina nga komunat. “Mund të themi që ky landfill mund të operojë dhe për 3 ose 4 vjet, pa futur dhe faktorin e riciklimit, me gjithë koperturën finale, mund të themi që mund të zgjasë rreth 5 vjet. Landfilli i Sharrës operon 24 orë në ditë, të diel, të shtunë, festa nuk ka pushim. Pra, nëse do të mbyllet venddepozitimi i Sharrës, mendoni sa problem do jetë 1 mijë m3 në ditë të mos pastrohen në Tiranë”, - thotë Drilon Lleshi, menaxher i landfillit të Sharrës. Aktualisht, në landfillin e Sharrës grumbullohen të gjitha llojet e mbetjeve, me përjashtim të atyre që klasifikohen të rrezikshme. Në këtë pikë punojnë eksperte të mjedisit, të cilët merren me monitorimin e mbi 100 makinave që shkarkohen në 24 orë. Përsa i përket gazit që çlirohet nga mbetjet, ai digjet, pasi deri tani nuk ka projekte për ta kthyer në energji. “Bashkia e Tiranës ka ndërtuar 4 puse për kapjen dhe nxjerrjen e biogazit, të cilat për momentin nuk ka një investim për burime alternative energjetike që ta kthejmë këtë biogaz në energji dhe për mosndotjen e ambientit ne kemi bërë të mundur kapjen e biogazit dhe djegien e tij”, - vijon Lleshi. Vendgrumbullimi i Sharrës është inauguruar në vitin 2007, ndërsa tani duket se këtij landfilli i kanë mbetur maksimumi edhe 5 vjet “jetë” për të përballuar mbeturinat e kryeqytetit dhe zonës rreth tij, dhe ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me mbetjet në momentin që ai do të dalë jashtë funksionit.