Telefoni, kabllori në rënie
Në kohën kur përdorimi i mjeteve të komunikimit, nëpërmjet celularëve dhe internetit është në rritje, telefonia fikse duket se po përjeton një krizë. Sipas të dhënave të AKEP, për vitin 2010, numri i pajtimtarëve ka shënuar rënie. Në fund të vitit që shkoi, numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse arriti në 332 mijë, nivel i cili përbën një reduktim, në krahasim me 338 mijë që ishin në fund të vitit 2009. Sipas AKEP, ky reduktim erdhi si pasojë reduktimit të abonentëve të Albtelekom, me 15 mijë abonentë, apo 5 për qind të totalit, që përbën një tendencë të kundërt, në krahasim me vitin 2009. Por ndërkohë që operatorët lokalë kanë rritur me 8 mijë numrin e abonentëve, për vitin që shkoi, duke i çuar ato në 53 mijë në fund të 2010, nga 45 mijë që ishin në fund të 2009. Sipas këtyre shifrave, përdorimi i telefonit fiks nga shqiptarët është shumë më i ulët se i vendeve të zhvilluara të Europës. Kështu në Shqipëri ka një numër përdoruesish 10 për 100 banorë, ndërsa në Europë ka 45 përdorues për 100 banorë. Operatorët alternativë të telefonisë fikse kanë zgjeruar zonat e tyre të operimit, duke u përqendruar më së shumti në zonat urbane dhe në zonat rurale, shumë afër qyteteve.