E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Gati lista e barnave me rimbursim, ilaçet pa TVSH

SHKRUAN: Jonida Tashi 07-03-2011 12:13

Cilat barnat do të hiqen nga lista e vitit 2010 dhe 24 alternativat e reja që do të shtohen. Efekti shtesë i TVSH-së është kompensuar nga qeveria dhe popullsia do t’i marrë ilaçet falas si më parë

Lista e barnave me rimbursim për vitin 2011 është gati dhe tashmë pritet vetëm miratimi i saj nga qeveria. Përtej dyshimeve të farmacistëve dhe përfituesve nga kjo listë, se barnat e përfshirë në të do të jenë apo jo me TVSH, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në një intervistë për gazetën MAPO deklaron se ilaçet e listës së barnave me rimbursim do të jenë pa TVSH, pasi efekti shtesë i TVSH-së është kompensuar nga qeveria dhe popullsia do t’i marrë ilaçet falas, si më parë. Ndërkaq, kreu i Shëndetësisë jep edhe disa detaje të reja për listën e barnave me rimbursim 2011, që kanë të bëjnë me alternativat e reja që janë përfshirë në listë, si dhe ato që kanë dalë jashtë saj. Për vitin 2011, në listën e barnave me rimbursim propozohet të përfshihen 24 alternativa të reja, dhe bëhet fjalë për medikamente për të sëmurët me diabet, tension, anemi, probleme me sytë etj. Përpos kësaj çështjeje, ministri Vasili flet edhe për mungesën e ilaçeve në spitale, arsyet e blerjes së tyre në disa raste edhe jashtë spitalit, dhe cila është situata aktuale në tregun e ilaçeve. Megjithë deklaratat e bëra pak ditë më parë nga deputetët e opozitës në Komisionin e Ekonomisë, se në tregun e ilaçeve ka monopol, ministri Vasili deklaron të kundërtën, duke shpjeguar sesi funksionon realisht ky treg.

Po e nis nga problemi më i mprehtë dhe aktual, kur dhe si do të zgjidhet problemi i mungesës së barnave në spitalin më të madh të vendit, “Nënë Tereza”?

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është një qendër që ka një kontratë edhe të prokurimit të barnave dhe të financimit me Institutin e Sigurimit dhe Kujdesit Shëndetësor, dhe s’i ka me Ministrinë e Shëndetësisë. Ministria nuk është administratore e barnave në spitale, pasi ata kanë një buxhet më vete, dhe mbi bazën e nevojave që kanë në shërbimet e tyre bëjnë edhe blerjen e barnave, pra nuk është Ministria ajo që paracakton barnat e spitaleve, por merret me politikbërjen. Çështja e barnave duhet të zgjidhet atje. Pra, spitalet tashmë financohen nga ISKSH, i cili është burimi i vetëm i financimit të tyre.

Pse ka mungesa barnash te Infektivi dhe te Onkologjiku?

Infektivi është pavijoni i furnizuar më mirë me barna dhe unë kur flas për Infektivin vihem në një komoditet plotësisht të jashtëzakonshëm, sepse aty janë trajtuar mjaft pacientë me sëmundje të rënda infektive, sikurse edhe komplikacionet e virusit AH1N1 ne i kemi kaluar pranë këtij pavijoni. QSUT është e detyruar të ketë barna që janë pjesë e listës së barnave së saj, madje Infektivi ka pasur edhe antiretrovirale, që përdoren për të sëmurët me SIDA. Viti 2010 ishte viti i bumit të barnave onkologjike; nga 800 mijë dollarë, ne çuam afër 6 milionë dollarë dhe ka qenë viti më i mirë i Shqipërisë për barnat onkologjike dhe kombinimet e tyre. Barnat onkologjike janë luksi i gjithë mjekësisë botërore, sepse është 850 euro një flakon. Po pate siguruar barnat onkologjike, unë jam shumë i sigurt që shëndetësia funksionon. Edhe pacientëve me Hepatit C, megjithëse sistemi ka mjaft problematika, arritëm t’ua sigurojmë medikamentin.

Është çështje buxheti problemi i barnave?

Sigurisht që është çështje buxheti. Ne jemi 4 milionë njerëz; për të mbuluar këto nevoja, duhet një buxhet më i madh.

Sipas farmacistëve dhe depove farmaceutike, në fillim të këtij viti ka pasur një rritje të çmimit të barnave, ndërkohë që pak ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë deputetët e opozitës kanë deklaruar se tregu i barnave është bërë monopol, si qëndron e vërteta?

Nuk ka asnjë rritje çmimi. Lista e barnave, si e vjetshmja ashtu edhe e sivjetshmja janë publike. TVSH-ja nuk ka lidhje me rritjen e çmimit të barnave. Dhe praktikisht të gjitha alternativat tona janë bazuar në alternativën e çmimit më të ulët, alternativat e para, dhe në Shqipëri nuk ekziston asnjë monopol i çmimit të barnave. Për këtë kemi edhe raportin e Autoritetit të Konkurrencës, që vlerëson gjithë bizneset sipas xhiros që kanë bërë, dhe në Shqipëri nuk ekziston asnjë monopol i rritjes së çmimit të barnave. Janë mbi 100 subjekte farmaceutike që tregtojnë barna me shumice në Shqipëri, ndërkohë që në vendet e Ballkanit nuk e kalojnë numrin 6 ose 7 distributorë kryesorë. Edhe biznesi më i mirë që mund të ekzistojë në tregun farmaceutik, nuk mund të zotërojë dot më shumë se 5-6% të tregut. Kemi ndjekur logjikën t’u japim mundësi të gjithëve dhe pastaj tregu le ta ndajë. Kush shet me çmim më të lirë, ai do të fitojë dhe do të ecë përpara.

E dyta, ne kemi të regjistruara 3800 barna dhe kemi shkurtuar në maksimum kohën e regjistrimit të tyre. Përse e kemi bërë këtë? Që të mos ketë monopol, kemi siguruar që për çdo alternativë, për çdo bar të ketë disa alternativa, 6, 7, 8 apo 9, në mënyrë që gjithmonë të këtë konkurrencë dhe të ketë mundësi të shkohet gjithmonë në një çmim më të ulët. Një grosist, një farmacist mund të fitojë maksimumi më pak se 10% për një bar. Dhe, për barnat që janë relativisht të shtrenjta, siç janë barnat spitalore, është shpallur me vendim qeverie që nuk mund të fitohet më shumë se 8%, por, në fakt, fitimet janë më pak se kaq. Jemi në kushtet e hapësirave të fitimit nga më të ulëtat, 10% dhe 8% për një biznes. Çështja e monopolit nuk duhet të ekzistojë. Edhe firma më e mirë në tregun farmaceutik ka pak më shumë se kaq fitim, 9% ose 10%, sepse siguron një preparat për të sëmurët talasemik, që është një preparat i veçantë dhe rimbursohet në listën e barnave. Vetëm ai mund të fitojë kaq, sepse është një bar që, në qoftë se nuk vjen këtu, shkon në tregun e gjerë, kjo gjë nuk shkon. Edhe sikur shpërndarja të bëhej në 5-6 firma, jemi në kushtet e më pak se 15-18% të tregut. Ky nuk është monopol, duhet të kesh mbi gjysmën e tregut që të kesh monopol. Kjo është politika, sipas mendimit tim, më antimonopoliste që është bërë deri më sot.

Çfarë po ndodh aktualisht me listën e barnave me rimbursim dhe si do të “shpëtohet” kjo listë nga TVSH? Ju keni deklaruar se lista e barnave me rimbursim nuk do të përfshihet në skemën e TVSH, por mësohet se ky parashikim nuk është bërë në momentin e hartimit të listës dhe se ajo nuk do të dalë jashtë kësaj skeme?

Lista e barnave është përfunduar dhe është në procesin e marrjes së miratimit të plotë. Lista bazë është ruajtur dhe janë futur 24 alternativa të reja, të cilat nuk kanë efekte financiare shtesë, por që janë mundësi të reja. Janë hequr disa barna që, ose janë çregjistruar, sepse distributorët nuk i sjellin më se nuk kanë interes, ose që nuk qarkullojnë më në tregun europian. Ne operojmë sipas raporteve që na vijnë, lista që kemi ne është me barna që qarkullojnë në tregun europian, sepse ne kemi një ligj që nuk lejon të futen barna as nga India as nga Qipro. Lista e barnave nuk do të preket nga TVSH, sepse efekti shtesë është kompensuar nga qeveria dhe popullsia do t’i marrë barnat falas si më parë. Tregu farmaceutik në Shqipëri ka një garanci të plotë, më të mirën, sepse ka disa alternativa për një bar, duke ofruar disa mundësi zgjedhjeje nga ana e pacientëve me çmime konkurruese. Kjo është një garë e hapur, që e detyron atë që sjell barin që, në qoftë se do të shesë, të ulë çmimet. Kjo është mënyra e vetme për të hapur garën që tregu të rregullohet vetë me çmimet.

Disa barna në vendin tonë kanë një rekord çmimesh, krahasuar me rajonin. Çfarë politikash ka dhe po ndjek Ministria e Shëndetësisë për uljen e çmimeve të barnave?

Politika është e hapur, që të japë mundësinë që, kushdo që ka mundësi të komunikojë me çdo lloj distributori Perëndimor, të ketë mundësi ta regjistrojë barin dhe ta shesë. Të drejtën për të shitur më lirë dhe për ta përballuar tregun e ka cilësia. Politika është e hapur. Sot nuk ka asnjë distributor farmaceutik që të thotë se nuk regjistroj dot barin. Absolutisht, dhe ne procedurat e i kemi ndryshe dhe regjistrimi i barit, përfundon nga 1 deri ne 6 muaj. Procedurat e regjistrimit të barnave kudo në të gjithë Europën janë shumë të gjata dhe shumë të vështira. Ne i kemi lehtësuar sa s’ka, duke menduar që janë barna që qarkullojnë në Europë, janë të njohura etj., në mënyrë që të hapim tregun, që është një treg i gjerë me 3800 alternativa.

Flitet se në vendin tonë mungon procesi i negocimit për çmimet e barnave, pasi pranohen automatikisht çmimet e deklaruara nga firmat, për rrjedhojë edhe çmimet e tyre janë të larta, pse ndodh pikërisht kjo proedurë?

Komisioni ka vënë një ligj që distributorët nuk deklarojnë dot çmimet, por deklarojnë vetëm çmimet e prodhimit. Jemi të vetmit që kemi insistuar në këtë pikë dhe këtu jemi në avangardë me botën, sepse jemi një treg i vogël që i kërkon çmimet edhe prodhuesit më të madh ndërkombëtar. Ndërsa, kur flitet për tregun e hapur, bari shtet me çmimin që do ai; kurse për listën, alternativa më e lirë rimbursohet plotësisht, të tjerat nuk rimbursohen, ose rimbursohen pjesërisht. Domethënë, kaq dinamike është kjo çështje, saqë gjithmonë ka një garë të vazhdueshme, të hapur. Alternativat e para që kemi bërë ne për të gjitha barnat europiane, që rimbursojmë gjithmonë çmimin më të lirë, kemi garantuar që barnat të jenë gjithmonë nga Europa. Ky është në një farë mënyre negocimi dhe tenderi i pastër.

Pse në spitalet e vendit tonë mungon një listë e shpallur barnash spitalore?

Kjo nuk është e vërtetë. Lista e barnave miratohet vit për vit, edhe në spitalin më të largët të Shqipërisë lista është transparente. Unë kam urdhëruar që para se të jepet medikamenti që mungon në spital, mjeku vetë nuk mund ta japë një bar që blihet jashtë spitalit, por receta të firmoset nga shefi i shërbimit. Kjo është transparenca që nuk ka ekzistuar kurrë më parë në Shqipëri. Duhet të kemi parasysh se për çdo të sëmurë, spitali përdor një terapi mjekimi, dhe në listën e barnave spitalore nuk përdoret emri i barit, por principi aktiv. Drejtoria e spitalit për këdo që shtrohet bën terapinë sipas problemit shëndetësor. Duhet të kemi parasysh se sot jemi në kushtet botërore të rezistencës ndaj barnave, dhe për këtë sugjerim unë kam vënë një rregull që s’ka qenë kurrë më parë, që do të konfirmohet nëse ka alternativë bari në depot e spitalit, dhe nëse nuk ka aty, duhet të firmoset nga shefi i shërbimit receta për të blerë barna jashtë spitalit. Kjo është e vërteta dhe këto rregulla nuk janë vënë sot, por kanë 10 muaj që janë përdorur, dhe kushtet e afishimit të listave janë të vëna me detyrim.

Kur do të hapet spitali i ri në QSUT?

Spitali i ri është përfunduar, është momenti që po kolaudohen aparaturat, po bëhen transferimet e një pjese të laboratorëve që ndodhen aty. Aparaturat duan disa javë që të kolaudohen dhe kjo është pjesë brenda kontratës, testimi i aparaturave. Një pjesë e tyre kanë filluar të spostohen, por ne nuk duam që ta hapim me nxitim, sepse, meqë testet laboratorike duan nga 2-3 javë kolaudim, duam që ta hapim spitalin me eficiencë të plotë, por që brenda marsit do të jetë gati. Me hapjen e spitalit të ri, do të mbyllet urgjenca e vjetër.

Së fundi, çfarë do të ndryshojë pas dy vjetësh në sistemin shëndetësor, nga ligji i ri i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor?

Ligji i ri është fillim e mbarim një piramidë, që do të thotë se nis me qendrat shëndetësore dhe spitalet janë maja e piramidës, ku vete numri më i vogël i pacientëve, sepse është edhe numri më i vogël i patologjisë specialiste. ISKSH kthehet në FOND, dhe bazamentet e kontratës janë efektet e performancës, ulja e sëmundshmërisë, numri i vizitave që ata trajtojnë etj. Në rast se ky sistem nuk funksionon, asnjë spital nuk e përballon dot fluksin pacientëve. Sot këtë gjë po e paraprin sistemi i referimit, që i drejton pacientët nga poliklinika te spitalet rajonale dhe në fund fare te QSUT. Për secilën nga këto pjesë të sistemit do të ketë sistem kontraktimi, që do të jetë baza e paketës së shërbimeve. Ato shërbime që mungojnë mund edhe të merren në privat, edhe nëse mungojnë përkohësisht, do të merren me kontratë të shkurtër 3-mujore. Ideja është që i gjithë shërbimi të mbulohet dhe të gjithë njerëzit që janë të varfër, të papunë do ta kenë këtë shërbim falas, sepse do t’ua mbulojë shteti. Fondi ka mundësi që të bëjë të gjitha llojet e kontratave që do ai, mund të bëjë kontrata të plota, të pjesshme, në bazë të performancës, sipas nevojave të sistemit. Për shembull, kjo do të bëjë që të mos jetë Tirana monopoli i rezonancës, sepse vetëm një e tillë është në Shqipëri, por do të ketë edhe në Shkodër, Vlorë, Durrës. Shërbimi i skanerit, po ashtu, do të jetë, falë një projekti kinez, do të shtrihet në tërë terrenin, kështu “çlirohet” “Nënë Tereza”. E reja që pritet është se shpërndahen patologjitë mirë, shkurtohet kohë dhe shërohesh më shpejt, sepse kjo është historia e mjekësisë: diagnozë e shpejtë dhe kurim në kohë. Gjithë skema e re e bën këtë sistem të administrueshëm në mënyrë të lehtë dhe Ministria ka 2 vjet që nuk merret me administrim të drejtpërdrejtë, sepse që prej vitit 2008 nuk prokuron më as barna, as shërbime. Çdo specialitet spitalor sipas nevojave bën edhe prokurimin, në qoftë se një grup patologjie ose shërbimi nuk e ka, s’ka pse të blejë barna. Në këtë mënyrë bëhet administrimi i shërbimeve që ofron dhe kështu lista spitalore e spitalit forcohet edhe më shumë. Për shembull, marrin rastin e spitalit të Tropojës, që është i vogël, ka një listë të caktuar shërbimesh dhe ble barnat që i nevojiten. Delegohen fondet, shërbimet që ka në sistemin e kontratave, normalisht do të ketë shërbime më shumë dhe më të mira më në kohë. Kështu hiqet dorë nga ajo shëndetësi komuniste, që çdo gjë e bën Ministria e Shëndetësisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›