Tafaj: Rritje pagash për 50 mijë arsimtarë
Urimin për festën e 7 Marsit ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ua ka dhënë në mënyrën më të bukur 50 mijë arsimtarëve të vendit, duke deklaruar se pagat e tyre do të rriten përsëri këtë vit, ndoshta edhe më shumë se vjet. Dje, një ditë para festës së mësuesit, kreu i Arsimit ka dal në një konferencë të posaçme shtypi, ku ka folur për gjithçka të pritshme që do të ndodhë në arsimin parauniversitar dhe universitar. Duke u ndalur te pagat e arsimtarëve, ministri Tafaj deklaroi se pagat e mësuesve dhe pedagogëve do të rriten dhe gjatë këtij viti, por megjithëse ende nuk ka detaje të këtij ndryshimi të pritshëm, ministri i Arsimit ka garantuar se të gjithë mësuesit do të përfitojnë nga vendimet e qeverisë. “Rritja e pagave ndodhi edhe në vitin 2010, një vit jo i lehtë buxhetor. Edhe në këtë vit, pra viti 2011, ne do të kemi sërish rritje të pagave të mësuesve dhe të pedagogëve. Akoma nuk kemi detaje, ne vjet kemi bërë rritje 5-7 për qind. Besoj që këtë vit do të jetë rritje më e madhe”, - u shpreh ministri i Arsimit. Sipas tij, arsimi shqiptar po përjeton reforma të thella, ku mësuesit e pedagogët shqiptarë janë aktorët kryesorë të çdo reforme. “Qeveria Berisha i ka kushtuar rëndësi të madhe rolit parësor të mësuesve e pedagogëve, në çdo ndryshim në arsim. Përmirësimi i statusit të mësuesit dhe pedagogut është e mbetet prioritet i kësaj qeverie. Janë bërë përpjekje të mëdha për përmirësimin e statusit. Dyfishimi i pagave të mësuesve, bëri që ky profesion sot të jetë pjesë e grupit të profesioneve më të kërkuara në Shqipëri”, - ka pohuar më tej ministri Tafaj. Sot Shqipëria, sipas kreut të Arsimit, radhitet në vendet që ka pjesëmarrjen më të lartë në arsimin e lartë. Për këtë ai ka bërë të ditur se në vitin akademik në vazhdim, 2010-2011, 70% e maturantëve përfunduan me sukses Maturën Shtetërore dhe u ulën në bankat e universiteteve tona publike. Përveç rritjes së pagave gjatë këtij viti, ministri i Arsimit është shprehur se mbështetja e mësuesve dhe pedagogëve do të vazhdojë të mbetet prioritet kryesor i kësaj qeverie. “Ne do të bëjmë çdo përpjekje për ta përmirësuar me shpejtësi statusin e tyre, në mënyrë që çdo mësues e pedagog në Shqipëri të ndihet i respektuar dhe të ketë vendin e tij dinjitoz në shoqëri, në të gjitha këndvështrimet dhe kjo nënkupton jo vetëm shpërblimin e tyre në rritjen e pagave”, - ka pohuar ministri i Arsimit. Duke u ndalur në profesionin e mësuesisë, që para disa muajsh është shpallur si profesion i rregulluar me ligj, sipas ministrit Tafaj ky është një hap vendimtar, që bëhet në rrugën e rritjes së cilësisë në arsim. Ndërsa ka bërë të ditur se ka nisur reforma e studimeve universitare në fushën e mësuesisë, e cila synon përgatitjen e brezave të ardhshëm të mësuesve, sipas standardeve më të përparuara europiane e më gjerë, ministri i Arsimit është shprehur: “Kam theksuar në çdo takim me gjimnazistët, e përfitoj nga rasti edhe në këtë ditë urimi për festën e 7 Marsit, që t’u bëj thirrje maturantëve që përfundojnë Maturën këtë vit të zgjedhin degët e mësuesisë, si profesion të bukur, por edhe të vështirë, si profesion i cili është më shumë sesa profesion, një mision shumë fisnik”. Po ashtu, ministri Tafaj ka pohuar se do të vazhdojë mbështetja me projekte për kualifikimin e vazhduar të mësuesve, në të gjitha nivelet e arsimit, duke synuar që brenda dy tre viteve të ketë përfunduar kualifikimi i çdo mësuesi në arsimin parauniversitar, në fushën e teknologjisë së informacionit, në mënyrë që ata të jenë të përgatitur për të zhvilluar programet mësimore, mbështetur edhe në teknologjinë e informacionit. Në fund të fjalës së tij, ministri Tafaj është ndalur edhe te dy programet e mëdha të qeverisë shqiptare, përkatësisht Fondi i Ekselencës dhe Brain Gain, ose kthimi i të shkolluarve nga shkollat e huaja në vend, për të cilat ai ka deklaruar se do të vazhdojnë të mbështeten me përparësi nga “qeveria Berisha”. “Ne kemi marrë mbështetjen e plotë të kryeministrit Sali Berisha, për të financuar studimet pasuniversitare, pjesë e studimeve të doktoratës, për çdo asistente e asistent në universitetet tona publike dhe private. Nga ana tjetër, ne do të vazhdojmë të mbështesim çdo të ri e të re që ka përfunduar studimet universitare e pasuniversitare në shkollat e huaja e dëshiron të kthehet në Shqipëri, për t’u integruar në sistemin e arsimit të lartë në postet e asistentëve e pedagogëve”, - ka pohuar kreu i Arsimit, duke garantuar se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në të ardhmen, e do të përfshijë shumë aspekte, që nga vendosja e kontakteve, aplikimi për vendet e punës, mbështetja me pagë suplementare, mbështetja me kredi për strehim, mbështetja për kërkimet e veprimtaritë shkencore jashtë vendit dhe një sërë aspektesh të tjera, që janë pjesë e paketës së programit Brain Gain. Në kuadrin e Fondit të Ekselencës, ministri tha se do të inkurajojmë çdo asistent e asistente, madje edhe çdo pedagog të ri nga ata që dëshirojnë studimet e doktoratës e postdoktoratës, të aplikojnë në këto programe.