Alarmi i drogës, Vasili: 40 mijë përdorues, gjimnazistët më të prekur
Tiranë- Rreth 5 mijë shqiptarë janë përdorues të rregullt të drogave të forta, dhe numri i tyre rritet çdo ditë, ndërsa numri total i përdoruesve është mbi 40 mijë.
Sipas ministrit të shëndetësisë, Petrit Vasili, që prej vitit 1995 shifrat janë rritur me ritme alarmante, dhe për këtë është hartuar një plan strategjik për të luftuar drogën.
Referuar shifrave të Shërbimit të Toksikologjisë, duke nisur nga viti 1995 e deri më sot ka pasur një rritje të ndjeshme të rasteve. Ndërsa janë shënuar qindra raste në 1995, sot flasim për 2148 raste në 2011, që do të thotë se ka një rritje të përdorimit të drogës në Shqipëri,- tha Vasili.
Sipas tij moshat që përdorin më tepër drogë janë gjimnazistët dhe studentët, ndërsa qëllimi i planit strategjik është që të reduktohet oferta dhe kërkesa, dhe në këtë mënyrë edhe përdoruesit e drogës do të ulen.
Shifrave tregojnë se nxënësit nga mosha 15-18 vjeç, përdorin më së shumti marijuanën, por nuk mbetet pas edhe kokaina apo heroina. Shifrat alarmante tregojnë më tej se rreth 1.9% e përdoruesve e kanë provuar për herë të parë drogën në moshën 9 vjeçare. Përdoruesit më të mëdhenj janë meshkujt, dhe sidomos nxënësit e shkollave profesionale apo ato private.
