Alarmi, ja 10 sëmundjet më të përhapura dhe të shtrenjta
Në bazë të recetave të rimbursueshme, hipertensioni, diabeti, sëmundje të zemrës dhe astma janë më të shpeshta. Të pasiguruarit i blejnë
Sëmundje që të shoqërojnë deri në ditën e fundit të jetës dhe vrasin gjithnjë e më shumë njerëz. Madje, edhe sa i takon shpenzimeve këto sëmundje mbajnë vendin e parë në top-listën e zezë. Shifra alarmante publikohen në lidhje me sëmundjet kronike, pasi numri i pacientëve që i shtohen listët së këtyre sëmundjeve është gjithnjë në rritje. Për këtë flasin profesorët e shëndetësisë por edhe numri i recetave të lëshuara për këto sëmundje e dëshmojnë këtë fenomen.
Sëmundjet më të përhapura
Hipertensioni është sëmundja që qëndron në krye të top-listës së zezë, pasi numri i pacientëve me këtë sëmundje është më i larti se i çdo sëmundjeje tjetër. “Mbi 458 mijë receta u janë dhënë pacientëve për sëmundjen e hipertensionit, vetëm për një 6 mujor”, pohojnë specialistët e ISKSH-së, duke shtuar se edhe masa e rimbursimit për këtë sëmundje është më e larta. Gjithashtu edhe shefi i shërbimit të Mjekësisë Interne në QSUT e ka paraqitur këtë sëmundje si sëmundjen e “Shekullit” dhe se vetëm në vendin tonë e vuajnë këtë sëmundje rreth 700 mijë persona. Ndërsa në vendin e dytë me numrin më të madh të pacientëve qëndrojnë sëmundjet diabetike pasi numri i recetave, sipas specialistëve të ISKSH-së arrin deri në 116 mijë. “Fatkeqësisht, sëmundjet diabetike po bëhen gjithnjë e më shumë problematike jo vetëm për moshat e rritura, por edhe për fëmijët”,- shpjegon shefi i shërbimit të Diabetologjisë, Petrit Hoxha, duke shtuar se faktorët janë të ndryshëm dhe se diagnostikimi në fazat e para është shumë i rëndësishëm. Pas diabetit duket se shqiptarët “goditen” edhe sëmundjet e zemrës, pasi shifrat janë shumë pesimiste. “Mbi 53 mijë pacientë marrin receta për sëmundjet e zemrës vetëm në 6 muaj”,- pohojnë specialistët duke shtuar se sëmundjet e zemrës janë shumë të rrezikshme. Ndërsa e katërta në top-listën e zezë të sëmundjeve është të astmës bronkiale pasi numri i pacientëve po vjen gjithnjë në rritje.
Kronike dhe të shtrenjta
Kronike dhe të përjetshme, çka do të thotë se pacienti duhet të mjekohet deri ditën e fundit. Kështu, specialistët e ISKSH-së theksojnë se sëmundjet më të përhapura janë edhe më të shtrenjta në rimbursim pasi për këto sëmundje shpenzohet shumë. Kështu, për hipertensionin, sipas specialistëve të ISKSH-së, masa e rimbursimit për 6-muaj arrin deri në mbi 300 milionë lekë të reja, ndërsa për diabetin ka qenë mbi 117 milionë lekë të reja. Por fatkeqësia qëndron tek ata persona të cilët nuk mund të përfitojnë rimbursim, pasi nuk janë të siguruar. Në këto raste pacientëve iu duhet të shpenzojnë nga xhepat e tyre, duke e pasur pothuajse të pamundur përballimin e këtyre shpenzimeve. “Fatkeqësisht sëmundjet kronike zgjasin përjetësisht dhe të ndodhur në këto kushte pacientëve iu duhet të mjekohen gjithmonë, çka do të thotë se nëse nuk kanë mundësinë e rimbursimit, duhet t’i blejnë medikamentet nga xhepi i tyre”,- pohojnë mjekët.
Sëmundjet më të përhapura
Diagnoza Nr.recetave për 6 muaj
Hipertension 458.748
Diabeti1 16.060
Kardiake 53.298
Astma Bronkiale 41.015
Epilepsia 29.477
Psikoza Skizofrenike 20.508
Hipoplazia e Prostatës 18.863
Tumori Malinj i gjirit të femrat 6.891
Insuficienca kronike e veshkave 2.962
Talasemia Major 569