E Diel, 1 Nëntor 2026

Mrika, gjysmë shekulli nga opera e parë shqiptare

Shkodër - Në 50 vjetorin e operës “Mrika”, e para operë shqiptare, Shoqata “Prenk Jakova”, Teatri “Migjeni” dhe bashkia Shkodër kanë planifikuar një javë aktivitete artistike. Për nder të veprës së kompozuar nga Prenk Jakova, janë parashikuar koncerte nga ansambli i harqeve “Classic Sound’s” në Shkodër, koncert me artistë të shquar shkodranë, edicioni i 8-të i konkursit të instrumentistëve “Pjetër Gaci”, koncert i bandës së qytetit, si dhe koncerti jubilar i së shtunës në Teartin “Migjeni”, ekspozita fotografike etj..

Në koncertin e së shtunës do të interpretohen pjesë nga opera “Mrika”, kompozime të tjera të Jakovës, aria e Lekë Dukagjinit nga opera “Skënderbeu”, pjesë nga vepra të autorëve të tjerë të frymëzuar nga Prenkë Jakova, si dhe fragmente nga të mëdhenjtë e muzikës klasike Verdi, Puçini etj. Sipas drejtuesit të shoqatës “Prenk Jakova”, koncertmaestrit Gjon Shllaku “tentojmë të rikthejmë atë atmosferë të 50 viteve më parë. Janë aktivitete që do të zgjasin një javë. Përfshihen këtu emrat që i dhanë jetë “Mrikës”. I është kushtuar një rëndësi e veçantë respektit të këtyre emrave që janë lënë mënjanë, janë harruar.”

Ndërsa violinisti Lorenc Radovani, i grupit organizator tregon se kanë realizuar një bazë të dhënash për të gjithë personat që kanë marrë pjesë në këtë opera. “Nga 140 pjesëmarrësit, është arritur të hyhet në kontakt me 61 prej tyre. Një pjesë kanë vdekur, një pjesë nuk ndodhen në Shqipëri. Duke dashur pjesëmarrjen e të gjithëve, organizatorët kanë krijuar një faqe në internet dhe luten të interesuarit që të sjellin informacione për operën e parë. Organizatorët kanë hyrë në lidhje me pjesëtarë të operas “Mrika” dhe ata do të jenë në skenë sërish si atëherë para 50 vitesh. Kështu Gjovalin Lazri ka ardhur nga Amerika. Para 50 vitesh ka qenë në violonçel në orkestrën e “Mrikës”, edhe tani sërish do të jetë në këtë vend, por pjesë e një orkestre të re. Kjo vepër i bën nder këtij qyteti ku u krijua dhe u shfaq për herë të parë”.

Puna për operën e parë shqiptare nisi më 2 maj 1958, me grupin e artistëvë amatorë të Shtëpisë së Kulturës në Shkodër. Vetë Prenk Jakova u kishte premtuar këtyre artistëve se nëse do të bënte një operë, do ta vinte në skenë me ta në Shkodër. Dhe kështu ndodhi. Prova gjenerale u dha më 27 nëntor dhe ishte planifikuar që të jepej më 29 nëntor. Por papritur vdes artisti Zef Jubani. Prenk Jakova në nder të tij kërkoi që të shtyhej data e shfaqjes për datën 1 dhjetor.

“Mrika” pati si bërthamë veprën “Dritë mbi Shqipëri” e vitit 1952.

Pas premierës ajo do të shfaqej 18 herë në Teatrin Migjeni dhe në shkurt 1959 u shfaq në Tiranë. Libreti i saj ëshrtë shkruar nga një tjetër shkodran i njohur në fushën e letrave, Lazar Siliqi. Në rolin e Mrikës, interpretuese e parë ka qenë Klodilda Shantoja dhe e dytë Florinda Fishta.

Kjo mbetet vepra më shumë e shfaqur në skenën operistike shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›