E Shtunë, 31 Tetor 2026

Janar 97, kur PD-ja përjashtonte Azem Hajdarin

Debatet në Kuvend për përjashtimin e liderit të dhjetorit nga Grupi Parlamentar i PD-së

Është tribuni i lirisë. Për çdo 12 shtator, krerët e PD-së shkojnë dhe bëjnë homazhe për të te memoriali i ngritur afër PD-së, aty ku u vrarë mbrëmjen e 12 shtatorit 1998. Emri i tij është në krye të listës së personave më të nderuar të historisë së partisë së parë opozitare, të krijuar pas lëvizjes studentore të dhjetorit 1990. Por, ai, për fat të keq, ishte edhe lideri më i sulmuar nga partia e vet, e cila pas shumë manovrave për ta larguar nga posti i kryetarit, apo nga lidershipi, nuk përtoi edhe ta shpallte armik të vijës së partisë. Siç e tregojnë edhe diskutimet e janarit 1997, kur në Shqipëri kishin plasur trazirat publike, pas rënies së firmave mashtruese piramidale. Pra, vetëm 7 vite nga koha kur Azem hajdari, në dhjetor 1990, kishte udhëhequr revoltën studentore, kishte qenë njëri nga bashkëthemeluesit e PD-së dhe njëri prej liderëve të parë të saj. Dhe në vend që të merrej seriozisht me situatën, e cila kërkonte ndërhyrje të zgjuara dhe efikase në favor të masave popullore, PD-ja, me kryetar ish-Presidentin Sali Berisha, dërgonte në Kuvendin Popullor, kërkesën për përjashtimin nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Ishte një vendim i marrë apriori, pa përfillur forumet apo statutin e partisë. Reagimi i PD-së, zyrtarisht ishte pas lëvizjes që Hajdari kishte marrë duke u vënë në krye të sindikatave të Shqipërisë, në vend të ish-Presidentit, Valer Xheka, të akuzuar për shpërdorim posti dhe abuzime në emër të BSPSH-së. Hajdari, që në atë kohë ishte anëtar i Këshillit Kombëtar të partisë Demokratike, i pezulluar pa afat dhe forumi i vetëm që vendoste për përjashtimin e tij nga PD-ja, ishte Kuvendi i PD-së.

E hënë, 20 janar 1997

Azem Hajdari- …Ju si kryesi e Kuvendit, dhe kryetari i Grupit Parlamentar, duke shfrytëzuar autoritetin tuaj, keni bërë, në përputhje me rregulloren, një propozim për pozicionin tim si deputet në Kuvendin Popullor. Është e drejta juaj, dhe unë nuk kam arsye t’ju kritikoj për atë qëndrim që keni mbajtur, por do të doja të sqarohesha. Nga sa jam konsultuar me statutin partiak, ndoshta nuk është vendi këtu, kryesia e një force politike, nuk ka të drejtë të përjashtojë një deputet nga grupi parlamentar. Kompetenca për përjashtimin nga grupi parlamentar i takon vetëm Grupit Parlamentar. Do të doja të dija nëse unë jam pjesëtar i Grupit Parlamentar, nëse kërkesa juaj, do të diskutohet ndonjëherë në Grupin Parlamentar dhe si do të shkojë ky problem, sepse jam deputet dhe nuk kam arsye të informohem nga shtypi, të bie viktimë e thashethemeve të shtypit. Pra, do të doja të dija qëndrimin e Grupit Parlamentar këtu, i cili është grupi më i madh dhe më autoritar i këtij kuvendi, që të ndërtoj edhe unë raportet e mia në të ardhmen me të, ose të më jepet mundësia e shpjegimeve, pa keqkuptime, sepse vë re që njerëz me qëllime të caktuara, këto probleme, ndoshta edhe propozimin tuaj, i kanë keqkuptuar.

Pjetër Arbnori-…Mua më vjen shumë keq që ju përdorët disa herë fjalën “tuaj”. Unë jam kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, i zgjedhur nga deputetët dhe nuk jam as për të hequr, as për të vënë njeri në një grup të caktuar parlamentar. Ajo është punë e Grupit Parlamentar, ku unë bëj pjesë dhe ku jap edhe unë, mendimin tim si deputet i thjeshtë dhe si anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike… Mua më ka ardhur një vendim nga kryesia e Partisë Demokratike, e cila më njofton për vendimin e saj lidhur me këtë çështje, që është një çështje krejtësisht në kompetencën e saj. Nuk dua të mohoj edhe qëndrimin tim, që është jashtë punës së Kuvendit dhe që unë do t’jua lexoj në mënyrë të veçantë….

Pjetër Arbnori-…Tani ka për të bërë një deklaratë z. Azem Hajdari. Unë mund t’ju njoftoj që, nga kryesia e Partisë Demokratike më ka ardhur një njoftim që, “Kryesia e Partisë Demokratike, në mbledhjen e datës 14 janar 1997, në përgjigje të kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, vendosi unanimisht, me një abstenim, përjashtimin e z. Azem Hajdari nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike”.

Azem Hajdari- Ju thatë “me propozimin e Grupit Parlamentar”, por unë di që Grupi Parlamentar nuk ka bërë kërkesë.

Pjetër Arbnori- “Në përgjigje të kërkesës së kryesisë së Grupit Parlamentar”.

Azem Hajdari- Por edhe kryesia e grupit, di që z. Beja nuk ka firmosur. Ka firmosur vetëm z. Spahia. Në kryesi janë dy veta. Më falni, unë dua ta sqaroj.

Pjetër Arbnori- Kjo nuk është çështje e Kuvendit, zotëri, por është çështje e Grupit Parlamentar.

Azem Hajdari- Atëherë, po bëj deklaratën. Ju falënderoj që më dhatë fjalën. Në ato çka thatë ju, z. kryetar, mendoj që ana proceduriale nuk ekziston. Ajo është shkelur për dy arsye. Në rast se grupi parlamentar, ose dhe një deputet i thjeshtë do ta bënte një propozim të tillë, kjo është kompetencë e Grupit Parlamentar dhe në asnjë nen të statutit të Partisë Demokratike nuk shihet forca vendimore e kryesisë së PD-së për të përjashtuar një deputet nga Grupi Parlamentar. Kjo është një lidhje nga lart-poshtë, e cila nuk shqyrtohet fare në forume. Unë, aktualisht, jam anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, i pezulluar pa afat, dhe “pezullimi” si term ndryshon nga “përjashtimi”. Aty nuk përmendet motivacioni që ka thyer programin e PD-së. Ai që vendos për përjashtimin tim është Kongresi i PD-së, që e pranon propozimin e kryetarit, ose jo, në rast se një kompetencë e tillë ndodhet në statut. Por, kjo nuk është më në statut. Kjo çështje, ndoshta, nuk është për t’u diskutuar këtu, por do t’u lutesha zotërinjve deputetë të PD-së, të cilët i çmoj e do t’i çmoj, qofsha ose jo anëtar i këtij grupi, që ta shikojnë këtë veprim, që unë e quaj një veprim të nxituar, një veprim që kërkon të krijojë një kontradiktë mes meje dhe Partisë Demokratike, gjë që nuk ka për të ndodhur jo sot, por asnjëherë, sepse nuk ka arsye që të ndodhë dhe arsyet nuk janë shpjeguar. Duhet të zbatoheshin procedurat normale për të shqyrtuar një problem të një anëtari të grupit të tij. Në rast se kryesia e Grupit Parlamentar i ka propozuar kryesisë së PD-së një vendim politik, gjë për të cilën ajo ka të drejtë dhe unë s’kam pse ta kritikoj, i takon po kryesisë së Grupit Parlamentar dhe kryesisë së PD-së, që t’i sugjerojë Grupit Parlamentar këtë vendim politik dhe Grupi Parlamentar mund të votojë për një anëtar të grupit të vet, i cili mund të largohet ose nuk mund të largohet. Por, deri më sot nuk më është dhënë e drejta për të shpjeguar qëndrimin tim dhe veprimet e mia në zgjedhjen time si president i BSPSH-së dhe i Këshillit Koordinues. Nuk jam thirrur as në Këshillin Kombëtar të PD-së, në kryesi dhe as në Grupin Parlamentar. Unë deklaroj këtu që e konsideroj veten anëtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Nuk kam asnjë problem me këtë grup, as me programin e tij, as me idetë e tij bazë, që të më ndajë. Prandaj do t’i kërkoja grupit, të paktën për respekt, që të mblidhej dhe të më kushtonte një minutë kohë, dhe të diskutonte si me sugjerimin tuaj, ashtu dhe sugjerimin e kryesisë, lidhur me këtë problem. Mendoj se kjo do të ishte më e mira. Në të kundërt, i uroj atij punë të mbarë dhe unë do të mundohem të kontribuoj, brenda bindjeve të mia dhe programit të PD-së, gjatë viteve të kësaj legjislature, duke e konsideruar veten gjithmonë anëtar të këtij grupi dhe duke mbrojtur, padyshim, interesat e sindikalizmit, të cilat janë oponencë e ndershme për mbrojtjen e interesave sociale dhe jo opozitë, duke ditur të tregoj veten si deputet dhe duke qenë i bindur se këto që kanë ndodhur, janë keqkuptuar nga një grup i caktuar, i cili ka kohë që të shpjegojë veten, ndoshta edhe brenda grupit, ka kohë të shpjegojë veten edhe brenda partisë, për idetë e veta dhe qëllimet e veta…Gjithsesi, në këtë Parlament, unë do të kontribuoj për mbrojtjen e atyre votave që i kam marrë në emër të PD-së dhe vërtet do t’i kërkoja Grupit Parlamentar të PD-së, se ka një problem moral. Në rast se unë nuk do të jem anëtar i Grupit Parlamentar të PD-së, grupi ta shqyrtojë mirë këtë problem, se unë kam ardhur këtu në emër të grupit të PD-së, nuk kam ardhur këtu që t’i bëj oponencë grupit tim. Dhe grupi të ma thotë copë: Unë ose do të jem anëtar i këtij grupi dhe të sqaroj pozicionin tim, ose do të vendosni për një qëndrim tjetër, sepse unë nuk kam ardhur këtu për të bërë rrëmujë as grupin, as PD-në, por kam ardhur për të mbrojtur programin e partisë sime, programin për të cilin kam marrë votat në atë zonë shumë të varfër.

Ferdinand Xhaferri- Unë, që në fillim do të thosha që këtu nuk ka asgjë për të sqaruar, sepse zoti Azem Hajdari është përjashtuar me vendim të kryesisë së Partisë Demokratike nga Grupi Parlamentar i PD-së. Dhe, ky vendim i kryesisë së PD-së, bazuar në vendimin e kryesisë së Grupit Parlamentar të PD-së, bazohet nisur nga fakti që PD-ja ka fituar të drejtën e ushtrimit të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv dhe nuk mund të kuptohet që një deputet i kësaj partie, si parti në pushtet, të përzihet e jo më të drejtojë një veprimtari të sindikatave. Njëkohësisht, në qëndrimet e fundit, zoti Hajdari ka dalë hapur në kundërshtim me vijën politike dhe programin e Partisë Demokratike. Nisur nga këto, kryesia e PD-së mori vendimin ta përjashtojë nga Grupi Parlamentar dhe ky vendim i kryesisë së PD-së, nuk cenon asnjë nen të statutit të PD-së, si dhe të gjitha rregullat që rregullojnë marrëdhënien tonë si forcë politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›