LSI: Qeveria, shkelje flagrante për pajisjen e shqiptarëve me karta identiteti
Lëvizja Socialiste për Integrim ka risjellë edhe njëherë në vëmendje shqetësimin e saj për procesin e rëndësishëm, siç është pajisja e shqiptarëve me karta identiteti. Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e LSI-së, Brizida Gjikondi, tha se ky proces po komprometohet rëndë. Gjikondi iu referua një urdhërqarkoreje që ministri i Brendshëm u ka dërguar kryetarëve të njësive vendore për të marrë masa për funksionimin e sistemit adresor në Shqipëri. “Rikujtojmë se sistemi adresor është një ndër elementet kryesore që përmban Karta e Identitetit dhe mosfunksionimi i tij deri tani vërteton mosseriozitetin e qeverisë shqiptare kundrejt firmës që është kontraktuar për kartat, por dhe impenjimin sipërfaqësor të kësaj qeverie. Shkelja tjetër flagrante që po shoqëron procesin e kartave të identitetit ka të bëjë me qindra mijëra shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë në zona informale dhe për konsekuencë të mosfunksionimit të procesit të legalizimeve janë ende të paidentifikuar dhe rrjedhimisht s’mund të pajisen me karta identiteti”, - tha Gjikondi. Ajo akuzoi gjithashtu edhe kryetarin e Bashkisë, Edi Rama, se ka nxjerrë urdhra të paligjshëm në drejtim të njësive vendore për pajisjen e shqiptarëve me karta identiteti. “Pavarësisht shkresave dhe udhëzimeve antiligjore që lëshohen nga zoti Nishani, por fatkeqësisht dhe nga kryebashkiaku Rama për të pajisur me adresor dhe zonat informale, tashmë është tepër vonë për të zgjidhur në mënyrë të strukturuar dhe serioze këto dy procese. Udhëzimet sipërfaqësore të lëshuara nga këta dy titullarë janë antiligjore, pasi ligji Legalizimeve përcakton qartë legalizim dhe më pas urbanizim, ndaj oksigjeni artificial që prapë PD-ja dhe PS-ja i japin në fshehtësi njëri-tjetrit nuk mund të mbulojë dështimin e dy proceseve jetike, atij të pajisjes me Karta Identiteti dhe procesit të legalizimeve”, - tha Gjikondi.
1 Shtator 2008