E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi nga zjarret, ende shumë vatra aktive, hektarë me pyje të shkrumbuar

Gazeta Shqip

Temperaturat e lartë të këtyre ditëve në vendin tonë kanë shkaktuar një numër të madh vatrash zjarri në të gjithë territorin nga veriu në jug, duke e bërë alarmante situatën.

Zjarret që kanë përfshirë Voskopojën shkatërruan plotësisht të paktën 35 hektarë pisha. Vatra vazhdon të jetë aktive në zonën pranë rezervuarit, ndërkohë që rrezikon të përhapet e favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.  Ndërhyrja mbetet e vështirë për shkak të intensitetit të lartë të flakëve, pavarësisht faktit se punonjësit e shërbimit pyjor të komunës si edhe banorët e zonës vazhdojnë të punojnë për shuarjen e tyre.

Një tjetër zjarr i fuqishëm ka rënë në masivin me pisha e shkurre të Kodrës së Sulmit, në Berat. Zjarri ka nisur fillimisht në disa shkurre ku janë depozituar disa mbeturina dhe më pas, i ndihmuar nga era, është përhapur në kodrën e mbjellë me pisha dhe ullinj.  Flakët për disa minuta kanë përpirë një territor me mijëra rrënjë ullinj e pisha. Me gjithë përpjekjet e zjarrfikësve të Beratit me mjete rrethanore të ndihmuar edhe nga banorë të Kodrës së Sulmit, zjarri ende vazhdon.
Situata gjithashtu mbetet problematike në Dibër, Korçë dhe Kukës. Në Pukë, pyjet e tri nga fshatrave më të mëdha mbeten të përfshira në flakë.

Problematike vazhdon të mbetet prej një jave zjarri i rënë në pyjet e Lurës. Nga zjarri është përfshirë edhe prefektuara e Elbasanit, në dy fshatra të Gramshit, si edhe një të rrethit Librazhd. Situata në këtë prefekturë paraqitet më e mirë. Prefekturat që nuk janë prekur nga zjarret mbeten ato bregdetare, Durrës dhe Vlorë, si edhe ajo e Fierit.

26 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)

Alarmi nga zjarret, ende shumë vatra aktive, hektarë me pyje të shkrumbuar burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›